Benedikti XVI ipeshkvijve të Perusë: bamirësia e Kishës të hyjë në skutat më të harruara
e të dëshmojë gëzimin që buron nga feja e krishterë.
(18.05.2009 RV)“Të jeni shembëlltyrë e bashkimit të Kishës e dëshmitarë të
një bamirësie misionare, që arrin deri tek të varfërit e fshatrave më të humbura,
ose tek njerëzit që bien pre e plagëve shoqërore, siç është droga”. Këto janë disa
nga porositë që u dha sot paradite Benedikti XVI ipeshkvijve të Perusë, të cilët
i priti në audiencë, në Vatikan, në përfundim të vizitës së tyre ‘ad Limina’. Pasdite
ipeshkvijtë kremtuan së bashku në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. Kisha
duhet të jetë gjithnjë pranë të papunëve, fshatarëve, të mjerëve, të droguarve, njerëzve
që vuajnë drama të thella, të cilët duhet ta ndjejnë prekjen e dorës së Zotit e ngushëllimin
që vjen prej Tij. Kjo është bamirësia e një Kishe dinamike, për të cilën po punojnë
ipeshkvijtë latino-amerikanë, në përpjekjen për të vënë në jetë ‘Misionin kontinental’
të Aparesidës. Benedikti XVI i pa gjurmët e këtij misioni në programet baritore të
Kishës peruviane dhe i porositi ipeshkvijtë të jetojnë të parët sipas mësimeve të
Ungjillit, në mënyrë që të krijojnë bashkësi të krishtera, që ecin në gjurmët e barinjve: “Ciertamente,
una Iglesia en misión relativiza… Sigurisht, një Kishë në mision, i
relativizon problemet e brendshme dhe shikon me shpresë e entuziazëm drejt së ardhmes.
Është fjala për thellimin e shpirtit misionar, jo aq nga frika e ardhmërisë, por sepse
Kisha është realitet dinamik e dishepulli i vërtetë i Krishtit gëzohet kur ua përcjell
të tjerëve Fjalën hyjnore e ndan me ta dashurinë, që buron nga kraharori i tij i shporuar
mbi kryq”. Vështrimi shoqëror, gjithnjë i pranishëm në fjalimet e Papës drejtuar
ipeshkvijve të vendeve të ndryshme, u ndalua sot tek jeta e të varfërve, të cilën
ia kishte përshkruar pak më parë me realizëm tronditës kryetari i ipeshkvijve peruvianë,
kryeipeshkvi Truhiljo Miguel Kabrejos Vidarte. Prelati pohoi se 40% e popullsisë
së Perusë vuan në varfëri të plotë e se kjo varfëri bëhet edhe më e padurueshme ndër
fshatrat e humbura të vendit. Prej këndej, Papa theksoi me forcë se dashuria e
Kishës duhet të bëhet e prekshme kudo: në përpjekjet për punësim, për arsim, për kujdes
shëndetësor, në qendra qytetesh e rrugë të përbaltura fshatrash, duke e vënë gjithnjë
në dukje se ajo që e shtyn Kishën në këto vende e tek këta njerëz, është dashuria
e Krishtit! Papa porositi t’u çohet fjala e Zotit edhe atyre vëllezërve të cilët
nganjëherë, me që vlerësohen në mënyrë të pamjaftueshme ose ndihmohen pak për kapërcimin
e vështirësive materiale e shpirtërore, kërkojnë përgjigje në rrugë të tjera fetare.
U kërkoi, prandaj, ipeshkvijve, të bëjnë vizita baritore edhe në bashkësitë e krishtera
më të largëta e më të përvujtura, ta përgatisin mirë predikimin e t’i kushtojnë vëmendje
atërore klerit e të gjitha forcave kishtare, duke thelluar lidhjen e anasjelltë e
dashurinë kolegjiale.