2009-05-16 15:19:48

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(17.05.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, e dielë, më 17 maj, Kisha katolike kremtoi të Dielën VI të Pashkëve; po sot kalendari liturgjik i Kishës na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: ‘Shëlbimi yt, o Zot, u përket të gjithë popujve!” Është edhe festa e Shën Vitorit martir dhe e Shën Pashk Bajlonit, lajk françeskan, pajtor i shoqatave eukaristike.


Nesër, e hënë më 18 maj, sipas kalendarit kishtar bie festa e Shën Gjonit I, papë e martir. Liturgjia na nxit të meditojmë mbi jetën e njeriut, që kalon shumë çaste të gëzuara, por jo më pak edhe të trishtuara e na fton që, të sigurtë në premtimin e të Ngjallurit, t’i shikojmë vuajtjet tokësore si prelud i galdimit të ringjalljes. Jezusi i ngjallur kthehet tek Ati, pasi na ka hapur edhe ne portën për të hyrë te Hyji. Tani e dimë se duke e lutur Atin në emër të Birit, fitojmë gjithçka është e nevojshme për shëlbimin tonë.


Të martën më 19 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Çelestinin V, papë e Shën Urbanin I papë, si edhe Shenjtorët Parteni e Kallugjeri, martirë, Shën Ivon meshtar dhe Shën Krispinin nga Viterbo, rregulltar kapuçin.


Të mërkurën e ardhshme më 20 maj, kalendari kishtar do të përkujtojë Shën Bernardinin e Sienës, françeskan e Shën Aureën, martire nga Ostia afër Romës.


Të enjten më 21 maj bie festa e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell. Do të kremtohet festa e Shën Kristoforit Magalanes me shokët e tij meshtarë, martirë në Meksikë dhe e Shën Eugjenit de Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Marisë. Këta na mësojnë se nuk mjafton ta shpjegojmë fenë tonë: feja duhet jetuar çdo ditë, duke ecur me vullnet krejtësisht të lirë në gjurmët e Zotit, që na çojnë në Mbretërinë e amshuar.


Liturgjia e së premtes, më 22 maj, na kujton se për të parashijuar jetën e amshuar, duke qenë akoma në botë, duhet të njohim thellësisht të vetmin Zot të vërtetë dhe Birin e Tij të mishëruar, të cilin Ati e dërgoi mes nesh. Është festa e Shën Ritës nga Kasha, rregulltare agostiniane, pajtore e njerëzve të pashpresë, së cilës Zoti i dhuroi dijen e forcën e Kryqit dhe e shën Julies, virgjër e martire.


“Fuqia e Zotit është dashuria!”. Këtë na kujton Shën Gjon Baptist de Rosi, meshtar romak, që do të përkujtohet të shtunën e ardhshme më 23 maj.


Liturgjia e së dielës së ardhshme, më 24 maj, i kushtohet të dielës së VII të Pashkëve e në shumë vende si në trevat shqiptare, do të kremtohet solemniteti i festës së të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, apo festa e ‘Të Shëlbuemit’. Liturgjia na kujton se feja e besimtarëve rritet në bashkim të ngushtë me transmetimin e pandërprerë të Fjalës së Krishtit të ngjallur nga ana e Kishës, e cila këtë ditë kremton edhe festën e Zojës Ndihmëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.