Liturgjia e Fjalës së Zotit e të Dielës VI të Pashkëve “B”: 'nëse Zoti është dashuri,
atëherë Zoti zbulohet e njihet duke dashur'!
(16.5.2009 RV)Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj
herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 6-të të kohës
kishtare të Pashkëve, ciklit të dytë sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Tema
qendrore që trajtojnë leximet biblike të kësaj së diele është dinamizmi i dashurisë
së Zotit: një dashuri, e cila nga Ati Qiellor përmes Birit mbërrin tek çdo njeri,
tek besimtarët, të cilët e kanë për detyrë ta mbjellin e përhapin përreth tyre. Të
gjithë njerëzit, pa kurrfarë dallimi, janë të ftuar në shëlbim, do të thotë të marrin
pjesë në këtë dashuri, sepse “Zoti nuk ka preferenca, nuk bën dallime, por kushdo
e do Zotin dhe të afërmin, e në jetën e vet të përditshme e zbaton drejtësinë, i çfarëdo
populli qoftë, ai njeri i pëlqen Zotit dhe Hyji e pranon.
Dashuria e Zotit
prodhon gëzim: kjo është thirrja (misioni) tipike e të krishterit që konkretizohet
në impenjimin e ecjes udhës me Krishtin në rrugën e dritës, në fenë e ngjalljes.
Krishti
i Gjallë shpall urdhërimin e ri dhe vazhdon të na dhurojë Shpirtin, i cili na ndihmon
të jemi e të bëhemi një zemër e një shpirt i vetëm. Liturgjia e kësaj së diele na
përkujton se ta njohësh, ta pranosh Krishtin e Gjallë domethënë ta duash e ta pranosh
ndër vëllezër, të cilët na porosit t’i duam porsi vetveten. Pra, filli i kuq i
leximeve biblike të kësaj së diele është dashuria. Temat kryesore mund të përmblidhen
në tri fjalë të Shën Gjonit: “Zoti është Dashuri” (1 Gjn 4,8.16) e në rrjedhojën që
na dëfton Shën Pali: “Prandaj nëse unë nuk kam Dashuri, para Zotit jam një asgjë absolute”
(1 Kor 13,2). Në këtë të Diele të gjashtë të Pashkëve, liturgjia na drejton edhe një
herë thirrjen të duam, të besojmë në dashurinë e Zotit për ne dhe të jetojmë në saje
të kësaj dashurie, të bëhemi të aftë për të dhuruar jetën tonë për vëllezërit. Bibla
na kujton se “kushdo që dashuron, ka lindur prej Zotit”. “Ky është urdhërimi i im
– thotë Zoti – të duani njëri tjetrin”.
“Prej të gjitha gjërave njerëzore,
dashuria është e vetmja që nuk do shpjegime. Të dashuruarit që “shpjegohen” mes tyre,
janë ata që kanë filluar të largohen mes tyre” ( André Frossard). Ne të krishterët
shpesh herë jemi në të njëjtat kushte të Pjetrit (Vp 10,25-27.34-35.44-48): nuk kuptojmë
se dashuria e Zotit nuk mund të përdoret si privilegj; nuk mund të përdoret si krenari
apo si armë: dashuria e Zotit është zjarr që na nxit të shërbejmë, të kërkojmë, të
dhurojmë, të shkrihemi në dashuri për vëllezër e nevojtarë. Kushdo dashuron është
bir i Zotit e Zoti e pranon, thotë Shën Gjoni ( 1Gjn 4,7). E Lumja Nënë Tereza, Gonxhe
Bojaxhiu, thoshte: “Duke jetuar e zbatuar Dashurinë, ndjehet Zoti: gati-gati preket
me dorë”. Është e vërtetë: e vërteta e dëshmuar nga jeta e sa e sa shenjtorëve, dëshmitarë
të një pasurie të pakufishme, që na afron me Zotin e që i bën mirë të afërmit tonë.
Pra, leximet biblike të kësaj së diele na japin përgjigjen se “kush është Hyji?” dhe
“si shfaqet dashuria e Hyjit ndaj nesh?”. E tani të dëgjojmë leximet biblike të
liturgjisë së dielës nga Vp 10,25-27.34-35.44-48; 1 Gjn 4,7-10; Gjn 15,9-17 e pastaj
komentin nga prifti shqiptar dom Mark Shtjefni...