2009-05-15 18:11:24

Varri i Shenjtë


(15.05.2009 RV)Varri i Shenjtë është, sipas traditës, vendi i Kryqëzimit, i Varrosjes dhe i Ringjalljes së Jezu Krishtit. Quhej Golgotë (kafkë, në gjuhën aramaike), ndoshta për formën e veçantë të terrenit. Në kohën e Jezusit, vendi ndodhej jashtë qytetit dhe ka shumë mundësi të ishte më i lartë se sot, por u përfshi brenda qytetit me ndërtimin e Murit të tretë në vitet 41-44. Pas shtypjes së revoltës judaike, në vitin 135, Jeruzalemi pësoi ndryshime rrënjësore: judej, samaritanë, judej të krishterë u përzunë dhe iu ndalua të ktheheshin. Perandori Adrian, me qëllimin për të zhdukur çdo gjurmë të fesë judaike, që kishte shkaktuar dy revolta të dhunshme, mori përsipër të rrafshonte çdo vend kulti. I njëjti fat i takoi Varrit të Krishtit, i cili u bë rrafsh me tokën, u mbush me dhe, e mbi të, u ndërtua një tempull për hyjneshën Afërditë-Ishtar. Në Jeruzalem, mbeti një bashkësi e krishterë që vinte nga paganizmi, së cilës i njohim ipeshkvin e parë, Markun. Kjo bashkësi ruajti kujtimin e Varrit të Shenjtë, të mbuluar nga ndërtesat pagane, deri në kohën e Kostandinit.
Gjatë Këshillit të parë Ekumenik (Nike, 325), ipeshkvi i Jeruzalemit, Makario e ftoi perandorin Konstandin të zbulonte sërish Varrin e Shenjtë. Kostandini shkatërroi tempullin e Afërditës mbi Golgotë. Varri i Krishtit u lirua nga dherat, që e kishin ruajtur në mënyrë të përsosur, dhe nëna perandoreshë, Shën Elena ngriti aty Bazilikën e Ringjalljes. Kompleksi kostandinian kishte tri pjesë. E para përbëhej nga kamarja mbi varr: shkëmbi u pre e varri i Jezusit u izolua nga të tjerët; përreth u ndërtua një mur mbrojtës, mbuluar me një kupolë të quajtur Anàstasi (Ringjallje në greqisht). Pjesa e dytë, që ëuhet Martyrium, përballë Anàstasisë, ishte një bazilikë me pesë navata. Pjesa e tretë përbëhej nga Kalvari, edhe ai i izoluar nga shkëmbi përreth dhe i veshur me mermer, duke lënë të hapur vetëm në majë, ku ishte ngulur një kryq simbolik. Disniveli ndërmjet bazilikës dhe majës së Golgotës ishte, e është edhe sot, rreth pesë metra.
Pushtimi nga Kosrò (614) dëmtoi rëndë ndërtesa të ndryshme dhe shtegtari Arkulfo (670) tregon se guri që mbyllte varrin ishte copëtuar nga persianët e copat kishin përfunduar në eleterë të ndryshëm. Pushtimi arab (638) nuk e preku aspak Varrin e Shenjtë dhe të krishterët vazhduan ta përdornin si vend kulti, duke alternuar çastet e tolerancës së heshtur me ato të dhunës së hapur. Në vitin 1009, kalifi fatimit Al-Hakim e shkatërroi krejtësisht Varrin e Shenjtë. Në vitin 1048, perandori bizantin, Kostandin Monomako mori lejen për të restauruar shenjtëroren. Bazilika (Martyrium) nuk u rindërtua më, por u restaurua ajo që mbetej n ga Anàstasi; mbi Golgotë u ndërtua një kapelë që mbulonte shkëmbin.
Kryqtarët, të cilët hynë në Jeruzalem më 15 korrik 1099, vendosën të mos i rindërtonin monumentet e mëparshme, të dëmtuara shumë, por të ngrinin një kishë të madhe, që të përmbyllte në një ndërtesë, të gjitha vendet thelbësore të vdekjes e Ringjalljes së Jezusit. Kisha e re u shugurua në vitin 1149 e mbeti pak e ashumë e pandryshuar deri në shekullin XIX. Françeskanët bënë punime të rëndësishme konsolidimi, pa prekur strukturën origjinale në vitet ‘500 dhe në fillim të viteve ‘700. Në vitin 1808, zjarri përfshiu e shkatërroi shumë pjesë të kishës; greko-ortodoksët nxorënn nga autoritetet otomane, lejen për rindërtimin, por restaurimi “i rëndë”, i bërë keq, fshiu çdo gjë që kujtonte kryqtarët (nënshkrime, dekorime, varret e mbretërve latinë). Pas tërmetit të vitit 1927, qeveria britanike që kishte Mandat mbi Palestinën, bëri vepra të mëdha konsolidimi me karakter të përkohshëm. Bazilika u dëmtua nga bombardimet gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1948.
Në ditët tona, Bazilika qeveriset nga “Statu quo”-ja dhe janë bashkëpronare të saj tri bashkësitë e krishtera, ajolatine (e përfaqësuara nga fretërit e vegjël), greko-ortodokse dhe armeno-ortodokse. Koptët ortodoksë, siro-ortodoksët dhe etiopikët mund të kremtojnë meshë në Bazilikë.
Në hyrje ndodhet Guri i Bagmit, një gur i gjatë i lëmuar prej kalciumi rozë. Me qirinj në krye e në fund e me tetë llampa sipër, përbën Stacionin XIII të Udhës së Kryqit; sipas traditës, tregon vendin ku Jezusi, pasi e hoqën nga Kryqi, u lye me vajra. Brenda shenjtërores ndodhet Varri i Shenjtë, Stacioni XIV, i rrethuar nga një kapelë në formë drejtkëndëshi (8,30 x 5,90 x 5,90 m). Fasada është plot me llampadarë me globe të argjendta. Mbi portë janë varur tri kuadro të Ringjalljes, respektivisht të latinëve, grekëve dhe armenëve. Derëza prej druri, me dy fletë me stoli e arabeska të arta, qëndron gjithnjë e hapur, me përjashtim të çastit në të cilin kremtuesi armen apo ai grek duhet të qëndrojë vetëm, sipas liturgjisë. Duke hyrë në dhomën e lutjes, shihet një parakthinë e vogël, që quhet Kapëla e Engjëllit (Lajmërimi i grave për Ngjalljen e Krishtit); pastaj, përmes një dere prej 1,33 metrash, vazhdon dhoma mortore, apo Varri i Shenjtë (2 x 1,93 m); mermei mbulon shkëmbin origjinal në të cilin u vendos trupi i Krishtit. Kapela të tjera ndodhen brenda Bazilikës (Kapela e Kryqëzimit, e Kalvarit, e Koptëve, kori i Grekëve, Varri i Jozefit të Arimatesë, Burgu i Shenjtë i Krishtit, Kripta e Shën Elenës).
Në vitin 1971 filluan punimet për restaurimin, nën kujdesin e tri bashkësive bashkëpronare. Më 17 gusht 1994, Rojtari i Tokës Shenjte, atë Xhuzepe Naxaro ofm, Patriku greko-ortodoks i Jeruzalemit Diodoros I dhe Patriku Armeno-ortodoks Torkom Manukian nënshkruan një marrëveshje historike.
Është fjala për projektin e përbashkët për restaurimin e dekorimin e kupolës së Anàstazisë me një afresk prej 12 rrezesh të arta, që përfaqësojnë 12 apostujt; rrezet përhapen mbi një sfond gri perle, i cili përfaqëson “renë e ndritshme të pranisë hyjnore”, e çdo rreze është e trifishtë, për t’iu referuar Trinisë Shenjte. Në ceremoninë e përurimit (2 janar 1997), ishin të pranishëm krerët e Kishave lokale, përfaqësuesit e bashkësive hebraike e myslimane të Jeruzalemit dhe Trupi Diplomatik.







All the contents on this site are copyrighted ©.