Patriarkana greko-ortodokse e Jeruzalemit dhe e gjithë Palestinës.
(15.05.2009 RV)Pas pushtimit arab të shekullit VII, Patriarkana e Jeruzalemit,
tejet e dobësuar, kërkoi mbështetje nga Patriarkana e Kostandinopojës e, kur kjo e
fundit u shkëput nga Roma, më 1054, bashkësia patriakale e Jeruzalemit e ndoqi pas.
Patriku greko- ortodoks dhe gjithë hjerarkia janë me origjinë greke, me pak përjashtime,
ndërsa shumica e priftërinjve të ngarkuar me kujdesin e famullive, janë arabë, ashtu
si të gjithë besimtarët e tyre. Rëndësi të veçantë ka Bashkëvëllazëria e Varrit të
Shenjtë, krejtësisht greke, që ruan e mbarështon Viset e Shenjta. Ortodoksët kanë
shumë kisha e manastire. Po kujtojmë vetëm disa prej tyre: Manastirin e Shën Sabës,
të Shkretëtirës së Judës, pjesën më të madhe të Bazilikës së Varit të Shenjtë, Kalvarin
(pjesërisht), Bazilikën e Lindjes së Krishtit në Betlehem dhe Kishën e Lajmërimit
të Zojës së Bekuar, ku kanë të drejta edhe armenët. Edhe manastiri i Malit të Sionit,
ndonëse i përket një Kishe të vogël të pavarur, lidhet me Patriarkanën ortodokse të
Jeruzalemit, që numëron rreth 40 mijë besimtarë në Izrael e në Cisjordani, ndërsa
në Jordani, besimtarët arrijnë në 20 mijë.
Aktualisht Patrik i Qytetit të
Shenjtë të Jeruzalemit dhe i gjithë Palestinës është Fortlumturia e Tij, Teofili
III. Teofili III lindi në Greqi në vitin 1952, u shugurua prift në vitin 1970,
pasi studioi teologji në seminarin fetar të Patriarkanës së Jeruzalemit. U zgjodh
njëzëri nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës greko-ortodokse më 20 gusht 2005,
pas dorëheqjes së Ireneut I, që u akuzua se kishte gisht në shitjen e pasurive të
patundshme të Kishës afaristëve hebrenj në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit .