15.05.2009 RV)Për mesazhin që
la Papa në Tokën Shenjte, të ndjekim reflektimin e drejtorit të Sallës vatikanase
të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, në mikrofonin e Roberto Piermarinit, nga
Jeruzalemi:
Përgjigje: - Mesazhi që dha Papa përkoi plotësisht me atë
që kumtoi, mesazh i paqes, mesazh shumëplanësh: paqe ndërmjet shteteve, paqe ndërmjet
feve të ndryshme, paqe ndërmjet riteve të ndryshme të Kishës katolike e konfesioneve
të ndryshme të krishtera. Gjithsesi, nuk ishte vetëm udhëtim i mesazhit të Papës,
që u flet të tjerëve, por edhe e sidomos, udhëtim i Papës që dëgjon. Benedikti XVI
është njeri që dëgjon shumë, me vëmendje të madhe. I dëgjon të gjithë njerëzit që
takon, duke përfituar prej tyre. E mund të themi se gjatë këtij udhëtimi pati rastin
të dëgjojë shumë. Dëgjoi burrat që drejtojnë tri shtete të ndryshme: Jordaninë, Izraelin
e Territoret Palestineze, të ngarkuara me tensione; burrat që drejtojnë tri fe: rabinët
e hebrenjve, myftinjtë e myslimanëve në Jordani e në Izrael, e prijësit e të krishterëve
të riteve të ndryshme, me probleme nga më të larmishmet, që ka secili konfesion. Dëgjim
i vazhdueshëm, tejet i pasur, thellësisht durimtar e i vëmendshëm. E kjo e bëri, besoj,
të fitojë një përvojë të madhe, të thellë, për realitetin e njerëzor e shpirtëror
të Tokës Shenjte. Kuptoi, kështu, plotësisht, se udha e paqes është udhë dëgjimi,
mirëkuptimi, dialogu shpirtëror, kulturor, shoqëror, politik, e kështu me radhë. Pra
mund ta quajmë udhëtim të mesazhit e udhëtim të dëgjimit. Këto janë dy përmasat themelore
që, sipas meje, karakterizojnë shtegtimin e Papës.
Pyetje: - Shtegtim
ky në gjurmët e Jezusit këtu, në Tokën Shenjte, por edhe shtegtim në shenjtëroret
e tri feve monoteiste…
Përgjigje: - Pikërisht! Papa erdhi këtu, ashtu
si vijnë të gjithë të krishterët, të gjithë besimtarët, për të rigjetur viset kryesore
të fesë sonë. Por duhet thënë se ky aspekt mbeti disi në hije, në sfond të ngjarjes,
pak i dukshëm, sepse nuk ishte aspekti që tërheq më shumë vëmendjen e publikut të
gjerë, të shtypit ndërkombëtar. Papa shkeli si shtegtar edhe në vendet shenjte të
feve të tjera : ishte në Yad Vashem, në Murin e Lotëve, në Xhaminë e Jordanisë, në
Kupolën e Shkëmbit. Shkoi në të gjitha ato vende, ku kërkohet mundësia e hyrjes së
lirë për të gjithë. Papa e Kisha kërkojnë edhe statusin e posaçëm për Jeruzalemin
si dhe mundësinë për të hyrë lirisht në viset e shenjta për të trija fetë. Benedikti
XVI ishte shtegtar në viset shenjte të të trija feve. Mund të them se dha një shembull
të shkëlqyer, duke u treguar të gjithëve ç’do të thotë dialog ndërfetar.
Pyetje:
- Në mënyrë të posaçme, duke pasur parasysh shtypin arab, mund të themi se njerëzit
u prekën thellë nga guximi i Papës në takimin me popullin palestinez…
Përgjigje:
- Sigurisht, edhe unë besoj se ishte udhëtim guximi e njëkohësisht, edhe shprese.
Papa ishte i vetëdijshëm se po vinte në një situatë të ngarkuar me tensione. Nuk është
çast i lehtë për Lindjen e Mesme, për Tokën Shenjte, për Jeruzalemin. Papa e dinte
shumë mirë e madje ndokush bëri edhe pyetjen në se ishte e arsyeshme të vinte. Por,
ashtu si paraardhësi, sa herë kishte dyshime e njerëz të matur, me ndjete të mira,
që thoshin: “E jo, të jemi të matur, ta shtyjmë…’, zgjodhi rrugën e guximit, që është
guxim i krishterë, dëshmi feje e shprese. E më duket se pati arsye, sepse pastaj mesazhi
i tij kaloi, mesazhi i tij u kuptua si mesazh i dashurisë, i shpresës, i paqes.
Në Territoret Palestineze Papa ripohoi vija që nuk janë krejt të reja, janë po ato
që ndjek prej kohe Selia e Shenjtë në kërkim të udhëve që duhen përshkuar për të gjetur
paqen në drejtësi, ndër këto troje. Por, t’i thuash këto gjëra para murit, t’i thuash
në kampin e refugjatëve, t’i thuash duke takuar burrat e shtetit të Izraelit, nuk
është e lehtë. Pa harruar se fjalimet e Papës qenë jashtëzakonisht të drejtpeshuara,
prandaj edhe u pranuan e u respektuan si nga njëra, ashtu edhe nga tjetra palë. Papa
tha kudo se duhet kërkuar vërtetë paqja e pajtimi për të gjithë, për njërën palë,
e edhe për tjetrën.
Pyetje: - Ç’porosi i la Papa Kishës vendase në Tokën
Shenjte?
Përgjigje: - Takimi me Kishën vendase u bë gjithnjë më i dukshëm,
posaçërisht në ditët e fundit: në ditën e Betlehemit e në ditën e Nazaretit, me kremtimet
e mëdha; e edhe në ditën e Jeruzalemit, që natën para, me atmosferën e fillimit të
kremtimit. Them se Mesha e Betlehemit e Mesha e Nazaretit ishin festa vërtetë të mëdha,
të mëdha! Që s’ishin parë kurrë. Më të mëdha edhe se ato që u jetuan gjatë vizitës
së Gjon Palit II. Është për t’u vërejtur se Gjon Pali II ishte papa i parë që hapte
disa rrugë të mbyllura, i pari që shkonte tek Muri i Lotëve, i pari që shkelte në
xhami e kështu me radhë. Prandaj vizitat e Benediktit XVI nuk sollën ndonjë risi në
këtë drejtim, por ripohuan vazhdimësinë, vijimin e ecjes në të njëjtën vijë. E përsa
i përket Kishës, ajo shkon përpara edhe me këto çaste feste e kremtimi të përbashkët,
në të cilat bashkësitë që janë pakicë e që u duket vetja të vogla, të varfëra, të
humbura, e ndjejnë se nuk janë ashtu, se janë të shumënumërta, se janë gjymtyrë të
një Kishe të madhe! Prandaj besoj se ishte një çast i ndritur besimi, i jetuar thellësisht
nga bashkësitë e krishtera vendase. Ishte pikërisht çka Papa dëshironte t’u jepte:
besim i garantuar nga feja, por edhe nga përvoja njerëzore dhe e krishterë e pjesëmarrjes
së përbashkët në kremtim, përvojë e jetuar, e dukshme, që shënon një etapë të re
shprese në rritje!