2009-05-14 17:34:13

Papa në takimin me krerët fetarë: të shpëtohen fëmijët nga fanatizmi e dhuna.


(14.05.2009 RV) RealAudioMP3 Po Shenjtërorja e Zojës Nunciatë në Nazaret ishte skena e takimit me krerët e feve në Galile, në orët e para të pasdites. Benedikti XVI deshi t’u tregojë bashkësive hebraike, myslimane, druze, ortodokse e të tjerëve, mirënjohjen e tij për pritjen që i rezervuan e vlerësimin për nxitjen e kulturës së paqes. Ati i Shenjtë falenderoi veçanërisht druzët, të cilët patën marrë pjesë në varrimin e Gjon Palit II. Inkurajoi besimtarët e të gjitha feve të pranishme në Galile të vazhdojnë bashkëpunimin për zgjidhjen e problemeve dhe për arritjen e paqes e të respektimit të të drejtave të njeriut. Të krishterët, sqaroi Papa, ndajnë me traditat e tjera fetare bindjen se paqja është dhuratë e Zotit, por ajo nuk mund të realizohet pa impenjimin e njeriut:
“Paqja e qëndrueshme vjen nga pranimi se bota, në fund të fundit, nuk është pronë e jona, por horizonti, brenda të cilit jemi të ftuar të marrim pjesë në dashurinë e Zotit dhe të bashkëpunojmë për ta udhëhequr botën e historinë në frymën e Tij”.
Si të paralajmëronte fjalimet e mëpasme të krerëve fetarë të pranishëm, të cilët theksuan nevojën e largimit nga ato rryma, që përhapin farën e urrejtjes ndërmjet feve, Papa iu referua, edhe pse jo drejtpërdrejtë, terrorizmit, që në këto anë gjen ithtarë. Vuri në dukje se Galilea është tokë e njohur për praninë e shumë etnive e feve, është atdheu i një populli që e di se ç’do të thotë përpjekje për të jetuar në harmoni. Por thelbi i çdo feje, mësimi që ato u përçojnë brezave të ardhshme, është paqja:
“Duke formuar zemrat e të rinjve, ne i japim trajtë të ardhmes së vetë njerëzimit. Të krishterët bashkohen me dëshirë me hebrenjtë, myslimanët, druzët e personat e feve të tjera për t’i ruajtur fëmijët nga fanatizmi e dhuna, ndërsa i përgatisin të jenë ndërtuesit e një bote më të mirë”.
Me kujdes të madh, Benedikti XVI iu referua aspiratës për të ulur tensionet në vendet e kultit të Tokës Shenjte. Gjithashtu, u kërkoi krerëve fetarë të kontribuojnë në përmirësimin e shoqërisë e të jetës publike të vendit të tyre, duke u siguruar bashkëpunimin e plotë të Kishës Katolike.

Nesër, dita e fundit e udhëtimit të Papës Benedikti XVI, do të zhvillohet në Jeruzalem. Gjatë paradites, Ati i Shenjtë do të ketë një takim ekumenik në Patriarkatin greko-ortodoks e do të bëjë një vizitë në Bazilikën e Varrit të Shenjtë të Krishtit, vend ku, siç pati thënë para disa ditësh kardinal Karlo Maria Martini në mikrofonin tonë, përmblidhet ç’ka negative në këtë botë e shëlbohet. Pas vizitës në Kishën Patriarkale Armene Apostolike të Jeruzalemit, Papa do të niset nga aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit, ku edhe do të përshëndetet me autoritetet, për t’u kthyer në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.