2009-05-14 17:36:22

Osservatore Romano: Lindjes së Mesme nuk i duhen as armët e as muret. Intervistë me Shimon Perez.


(14.05.2009 RV)Megjithëse vizita e Benediktit XVI në Tokë Shenjte nuk është mbyllur ende presidenti izraelit Shimon Perez dha një intervistë për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano” Gjatë saj ai e vlerësoi këtë shtegtim të Papës si “të rrënjosur në histori por edhe të projektuar drejt së ardhmes”. Sipas presidentit izraelit shtegtimi i Papës shërbeu për të theksuar nevojën e parandalimit të përhapjes së antisemitizmit. “Sidoqoftë – tha më tej presidenti Perez – problemi më kryesor i kohës sonë vazhdon të mbetet terrorizmi. Askush më mirë sesa Papa, me autoritetin shpirtëror që ka, mund të shprehë refuzimin e një feje që justifikon dhunën”- vazhdoi presidenti.
Por, le të ndjekim më hollësisht intervistën dhënë “Osservatore Romano”-s:

Pyetje: Që në fillim të shtegtimit të tij në Tokë Shenjte, Papa nënvizoi se do të ishte një udhëtim që do të kryhej duke respektuar të drejtat e të gjithëve. Mendoni se ky mesazh mund të kuptohet nga popujt e Lindjes së Mesme, në gjendjen aktuale?

Përgjigje: Krejt mesazhi i Papës, që u bë i njohur sot, qe një mesazh pozitiv dhe mund të ketë pasqyrime të rëndësishme. Ndoshta do të jetë e nevojshme të bëhet një ndërthurje e fjalimeve që mbajti në aeroport dhe në Jad Vashem për të pasur një ide më të qartë të mesazhit që solli Benedikti XVI.

Pyetje: Gjatë vizitës në Jad Vashem Papa e dënoi pa mëdyshje Shoahun. Sipas jush fjalët e Benediktit XVI do ta sqarojnë përfundimisht qëndrimin e tij mbi Shoahun dhe antisemitizmin?

Përgjigje: Sigurisht, por mesazhi më i fortë, mbase, është ai që transmetoi në fjalimin e mirësegjetjes.

Përgjigje: Më se një herë Papa ka folur mbi rolin e tri feve monoteiste në ndërtimin e një paqeje afatgjatë. Si mund të zhvillohet ky rol në Lindjen e Mesme?

Përgjigje: Duhet marrë parasysh ndarja e botës myslimane në shiitë dhe synitë, ku shumicën e kanë synitët që nuk e pranojnë hegjemoninë iraniane. Synitët, sikurse hebrenjtë dhe të krishterët, duan t’i shohin popujt e Lindjes së Mesme në paqe me njëri-tjetrin, si bijë të Abrahamit, pa konflikte që nuk janë më të nevojshme. Ajo që po fillon të vihet re në Lindje të Mesme është një lloj prirjeje për të mos u mjaftuar më me marrëveshjet dypalëshe por se nënshkrimi i marrëveshjeve rajonale për paqen dhe bashkëjetesën paqësore.

Pyetje: Si e vlerësoni politikën e hapjes të SHBA-ës ndaj Iranit?

Përgjigje: Le t’i lëmë të përpiqen, por unë dyshoj se mund të kenë sukses. Për momentin, pozicioni i shprehur nga Irani kundrejt Izraelit është i papranueshëm për vendin tim.

Pyetje: A është ende i vlefshëm plani i dy shteteve të pavarura, fqinje dhe në paqe me njëri-tjetrin?

Përgjigje: Po, është ende i vlefshëm. Qeveria paraardhëse izraelite pranuoi dhe kryeministri i tashëm ka pohuar se do të veprojë konform vendimeve të qeverisë paraardhëse. Ky është pozicioni real, pavarësisht nga interpretimet e tjera.

Pyetje: Cila do të jetë e ardhmja e Izraelit dhe e Lindjes së Mesme?

Përgjigje: Duhet ndaluar përdorimi i armëve dhe i dhunës. Duhen ndaluar muret. Në fund të fundit, askush nuk i do muret, për të cilët të gjithë paguajnë një çmim të lartë. Tjetër, njerëzve u duhet mundësuar hyrja në një epokë të re shkence dhe teknologjie, që nuk është në kundërshtim me Librat e Shenjtë. Mund të jetosh si besimtar edhe në këtë epokë shkence. Këtu, siç e nënvizoi edhe vetë Papa, nuk ka kundërthënie. Por para së gjithash duhet të hapim kufijtë e zemrave për t’u mundësuar fëmijëve tanë të jetojnë në një të ardhme paqeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.