2009-05-14 18:46:00

Nesër Papa do të vizitojë Varrin e Shenjtë. Intervistë me Atë Man.


(14.05.2009 RV)Nesër Papa do ta përfundojë shtegtimin në Tokën Shenjte, që filloi më 8 majin e kaluar në Aman. Vizita në Varrin e Shenjtë të Jeruzalemit do të jetë veprimtaria kryesore e ditës, që do të mbyllet me ceremoninë e lamtumirës në Tel Aviv, në orën 12, 30 me orën evropiane. Nga Varri i Shenjtë, Atë Federik Mans, historian i Rojtarisë së Tokës Shenjte na flet pikërisht për Varrin e Krishtit, duke iu përgjigjur pyetjes në se është e sigurtë që Krishti u varros pikërisht këtu:

Përgjigje: - Shumë shtegtarë e bëjnë Udhën e Kryqit, që përfundon tek Varri i Shenjtë e mund të themi se nga të gjitha stacionet e kësaj Udhe të Dhimbshme, i vetmi vërtetë i sigurt, qind për qind, është Kalvari, ‘vendi i varrosjes’. Them vendvarrosja, sepse varri u shkatërrua, e kjo u bë shkas për fillimin e Kryqëzatës I. Vendi mbetet e është absolutisht i sigurt. Kur Krishti vdiq, vdekja e tij u shoqërua me një tërmet të madh. Ndonëse tani ndodhet brenda mureve, në kohën e Jezusit ishte jashtë mureve, në një varrezë të madhe. Varrezat ishin gjithnjë jashtë, por muri i tretë u shtua vetëm pas vdekjes së Krishtit.

 
Pyetje: - Atë Mans, cili është kuptimi teologjik i Varrit të Shenjtë?

Përgjigje: - E dimë se hebrenjtë kishin një traditë shumë të bukur, që lidhej me Tempullin e Jeruzalemit: thoshin se Adami ishte krijuar me pluhurin e elterit të Tempullit. Zoti e dinte se Adami do të mëkatonte e se, duke sjellë dhurata mbi elter, do t’i faleshin mëkatet. Kur Tempulli u shkatërrua, në vitin 70 pas Krishtit, të krishterët e parë, shumica e të cilëve ishin judeo-kristianë, hebrenj mesianikë, që besonin në Jezusin, që e pranonin si Mesi të Izraelit iu rikthyen kësaj tradite. Madje zgropuan një shpellë të vogël poshtë Kalvarit, për të thënë ‘Ja varri i Adamit”. Me këtë donin të shpjegonin idenë teologjike se Krishti është Adami i ri e se gjaku i Krishtit duhet të kalonte përmes plasës së shkëmbit, për të arritur tek kafka e Adamit. Prandaj ikonografia e paraqet Kalvarin me kafkën e Adamit përsipër. Ungjilli i Gjonit e përshkruan kështu atë që ndodhi nën Kryq: “Poshtë kryqit të Krishtit ishin katër paganë, katër ushtarë, që i ndanë me short petkat e Jezusit, e katër gra hebreje. Dëshiron të na kujtojë, kështu, se shëlbimi i Krishtit vlen për paganët, romakët e edhe për hebrenjtë, për burrat e për gratë. Shëlbimi është universal. Krishti, Adami i ri, sjell qiell të ri e tokë të re për mbarë njerëzimin.

Pyetje: - Bazilika është nën kujdesin e françeskanëve të Tokës Shenjte, të ortodoksëve e të armenëve; si shpjegohet, atëhere, që portën e hap çdo mëngjes një familje myslimane?

Përgjigje: - Sulltani deshi t’ ia jepte çelësin e Varrit të Shenjtë konsullit të Francës, por ai u përgjigj: “Unë nuk jam sakrestan”. Atëherë sulltani, i zemëruar, ia dha një familjeje myslimane e deri sot e kësaj dite duhet paguar kjo familje myslimane për të hapur portën e Varrit të Krishtit. Është një nga çuditë e Lindjes!







All the contents on this site are copyrighted ©.