2009-05-14 16:42:15

Bazilika e Lajmërimit të Zotit.


(14.05.2009 RV)Që në shekullin I, pasardhësit e familjes së Zojës së Bekuar e shndërruan në vend kulti Shtëpinë-Shpellë, ku Engjëlli i kishte dhënë Marisë lajmin e madh të Mishërimit të Zotit. Këtu, në shekullin V, u ngrit Bazilika e parë, sipas stilit bizantin të epokës.
Në shekullin XI, kur Tokën Shenjte e sundonin të krishterët latinë me Baldovinin I, bazilika e vjetër, në rrënim e sipër, u rindërtua me stil romanik. Monumenti madhështor, jashtëzakonisht i pasur me vepra arti, u bë rrafsh me tokën nga Bibars, emër me të cilin njihet sulltani mameluk egjiptian, al-Malik al-Zahir Rukn al-Din Baybars al-Bunduqdari. Shpëtoi vetëm Shpella shenjte.
Vetëm në vitin 1629, Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Tomazi nga Novara, mundi të nxirrte lejen të kujdesej për rrënojat e bazilikës.
Kisha françeskane e vitit 1730 përfshinte edhe Shtëpinë-Shpellë- të Familjes së Shenjtë, vendosur në një kriptë poshtë Elterit të madh. E ngritur në dinjitetin e famullisë, bazilika u zmadhua në vitin 1877 e pastaj u shemb përsëri më 1959, për t’i lëshuar vendin Kishës së re.
Bazilika e sotme, ende e papërfunduar, u vizitua nga Papa Pali VI e u kushtua ditën e festës së Zojës Nunciatë, në praninë e kardinalit Garrone, më 25 mars 1969.
Bazilika, vepër e arkitektit Gjovani Mucio, është e ndërtuar me betonarme dhe e veshur me gurë vendi. Përmbi fasadën kryesore lartohet shtatorja e Krishtit Shëlbues; poshtë saj, skena e Lajmërimit të Zojës e katër Ungjilltarët.
Fasada e jugut i kushtohet Marisë në moshën e vashërisë. Në të majtën, shihet një mur në formë kryqi. Brenda janë dy Kisha, të vendosura njëra mbi tjetrën, me një derë qëndrore, nga e cila shihet Shtëpia-Shpellë e Familjes Shenjte: pjesa e poshtme, me stilin e kriptës, ruan Shpellën dhe elterin françeskan të viteve ‘600, me mbishkrimin: “Verbum caro hic factum est”; Kisha e epërme i kushtohet ngjitjes së në qiell të Zojës së Bekuar, Nënës së Zotit të mishëruar; mozaiku i madh qëndror është i Salvatore Fiume-s; në mure soditen disa piktura, që i kushtohen devocionit marian në shenjtëroret e ndryshme të botës (Kamerun, Etiopi, Taivan, Venezuelë, Brazil, Poloni, SHBA, Portugali, Spanjë, Francë, Kanada, Japoni, Meksikë, Australi, Liban, Argjentinë, Angli). Kupola, e lartë 55 metra, lartohet në formë vravashke, ndërsa nga brenda ka formën e palmës. Dyshemeja, që lidh dy Kishat, duket si qilim mermeri shumëngjyrësh, me katër pamje, që paraqesin Magjisterin e Kishës për Marinë: Marinë, Nënë e Zotit, Të ngjiturit e Zojës në Qiell, Dogmën e së Papërlyerës, Ndërmjetësimin Universal, Shenjtërinë e Përkryer, Dinjitetin Mbretëror, Amësinë Shpirtërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.