(13.05.2009 RV)Në festën e sotme të Zojës së Fatimës përkujtojmë atentatin
kundër Papës Gjon Pali II më 1981 dhe zbulimin e "së fshehtës së tretë" në vitin
2000, ngjarje që lidhen me një fill të vetëm, providencial. Nuk është gabim po
të themi se në zemrën plot devocion marian të një pape si Gjon Pali II, festa e Zojës
së Fatimës zinte një vend të privilegjuar. Eshtë një festë që përshkon gjithë papninë
me një parabolë të veçantë, duke nisur nga faqja dramatike e 13 majit 1981 e duke
përfunduar simbolikisht në Fatima me vizitën në Shenjtërore në vitin 2000. Faqe e
jashtzakonshme edhe ajo e fundit. Zbuloi të fshehtën e tretë të Fatimës, në të cilin
përfshihej vegimi i "Ipeshkvit të veshur me të bardha, që binte përdhé si i vdekur,
nën goditjet e një arme zjarri". Kthehemi simbolikisht në pasditen e së mërkures,
13 maj 1981. Është festa e Zojës së Fatimës. Gjon Pali II, prej tri vjetësh në fronin
e papnisë, përshkon ngadalë Sheshin e Shën Pjetrit: papritmas lëkundet i gjakosur,
ndërsa një zë gjarpëron ndërmjet njerëzve dhe i shndërron buzëqeshjet në lot: "Kanë
qëlluar Papën!" Zhurma e turmës kthehet në një heshtje të thellë. Priten lajme. Dora
që ka qëlluar është e turkut 22 vjeçar, Ali Agça. Vrasësi arrestohet nga shërbimi
i sigurisë. Ndërsa Papa transportohej me shpejtësi në Poliklinikën Gemelli me një
plumb që i kishte përshkuar zorrët, atentatori nisej drejt burgut romak "Regina Coeli".
Gjon Pali II rrezikonte të vdiste gjatë rrugës për në spital, ku iu nënshtrua
një operacioni të gjatë e delikat, në sajë të të cilit mundi të mbijetonte. Prandaj
ka pohuar gjithnjë se mundi të shpëtonte nga vdekja në sajë të ndërmjetësimit të Zojës
së Fatimës, festa e së cilës bie pikërisht më 13 maj, në kujtim të 13 majit 1917 kur
iu duk për herë të parë, në Kova da Ira, tre barinjve të vegjël portugezë: Luçisë,
Françeskut e Gjaçintës. Mesazhi që u përcolli Zoja barinjve të vegjël mbetet aktual:
është mesazhi i paqes; ashtu si Shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes,
djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi Papën, ngërthyer si
stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe një copëz
nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e
ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet,
nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë
që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.