(13.05.2009 RV)Duke kaluar nga ana e Korit, nëpër Portat prej bronzi, që i
përkasin kohës së kryqtarëve, mund të zbresësh në Shpellën ku lindi Krishti (12,30
x 3.15 metra). Nën Elterin e Shpellës është një yll argjendi, i fiksuar mbi një pllakë
mermeri me një mbishkrim latin, që tregon vendin ku lindi Krishti. Nuk dihet me saktësi
në se Shpella ishte një nga zgavrrat natyrore, që këtu nuk mungojnë, apo stallë
e ndjonjë bujtine. Gjithsesi tradita, që nis nga gjysma e shekullit II, e shpjegon
qartë: këtu ishte një shpellë, që përdorej edhe si stallë. Shpella ka qenë gjithnjë
poshtë Bazilikës, me të cilën komunikonte në fillim me një e pastaj me dy shkallë.
Fasadat e të dy hyrjeve janë të kohës së Kryqëzatave; ashtu edhe portat, që duhet
të kenë pësuar mjaft ndryshime, gjë që e tregon fakti se njëra është e vënë praptazi.
Shpella është katrore, e errët. Ndriçohet nga 48 llamba, 21 nga të cilat u përkasin
latinëve. Në sfond të Shpellës duket ende shkëmbi i dikurshëm, ndonëse muret janë
veshur me mermere, që nga dyshemeja, deri në qemer. Në këmbët e Elterit, Kometa tregon
se shì këtu lindi Zoti. Përballë vendit të Lindjes së Krishtit, një elter i vogël
të kujton vizitën e Tre Mbretërve: është elteri ku kremtojnë Meshën latinët.