2009-05-13 16:00:41

Pendestaria Apostolike bën të njohur dekretin për Vitin Meshtarak kushtuar Shën Gjon Mari Vianejt.


(13.05.2009 RV)Po afrohet dita kur do të festohet 150-vjetori i kalimit në amshim të Shën Gjon Mari Vianejt, famullitari i Arsit, i cili në këtë botë pat qenë një shembull i shkëlqyeshëm i Bariut të vërtetë në shërbim të grigjës së Krishtit.
Duke qenë se shembulli i tij është i përshtatshëm për të nxitur besimtarët, dhe veçanërisht meshtarët, për të përqafuar virtytet e tija, Ati i Shenjtë Benedikti XVI vendosi që me këtë rast, nga 19 qershori 2009 deri më 19 qershorin 2010 e gjithë Kisha të kremtojë një vit të posaçëm meshtarak, gjatë të cilit meshtarët të përforcohen më shumë në besnikërinë e tyre ndaj Krishtit me meditime, ushtrime shpirtërore e vepra të tjera të pëlqyeshme.
Ky Vit i Shenjtë do të nisë me solemnitetin e festës së Zemrës së Krishtit, ditë e shenjtërimit meshtarak, kur Ati i Shenjtë do të kremtojë Mbrëmësoren përpara relikeve të shenjta të Shën Gjon Maria Vianejt, sjellur në Romë nga Ipeshkvi i Beli – Arsit. Po ashtu do të jetë Ati i Shenjtë ai që do ta mbyllë këtë Vit të Shenjtë në sheshin e Shën Pjetrit në Romë, në praninë e meshtarëve ardhur nga e gjithë bota, të cilët do të përtërijnë besnikërinë ndaj Krishtit.
Meshtarët të impenjohen sa më shumë, me uratë dhe vepra të mira për të nxjerrë nga Meshtari i Lartë dhe i Përjetshëm Jezu Krisht, hirin e Besimit, të Shpresës e të Dashurisë si edhe virtytet e tjera, e t’i dëshmojnë këto në jetën e tyre, por edhe në paraqitjen e jashtme, të jenë plotësisht të përkushtuar ndaj përparimit shpirtëror të popullit, vepër kjo që Kisha ka pasur gjithmonë për zemër më shumë se asgjë tjetër.
Për ta arritur sa më mirë këtë qëllim do të ndihmojnë shumë edhe hiret e Ndjesave të Plota, që Pendestaria Apostolike me anë të dekretit të mëposhtëm, miratuar sipas dëshirës të Atit të Shenjtë, do të japë pa kursim gjatë këtij Viti.


    Të gjithë meshtarëve që janë penduar me të vërtetë, të cilët në një ditë çfarëdo do të thonë me devocion Lavdet e Mëngjesit ose të Mbrëmjes përpara të Shenjtnueshmit, qoftë Ky në elter për adhurim të të gjithëve apo në tabernakull, dhe që simbas shembullit të Shën Gjon Maria Vianejt do të tregohen të gatshëm me shpirt për kremtimin e Sakramenteve, veçanërisht të atij të Rrëfimit, do të fitojnë Ndjesën e Plotë, të cilën mund ta marrin edhe për sivëllezërit e kaluar në amshim, nëse sipas normave në fuqi, do t’i afrohen Rrëfimit dhe Eukaristisë, dhe nëse do të luten sipas ndjeteve të Papës.



B. Gjithashtu të gjithë besimtarëve të penduar që në Kishë apo në orator do të marrin pjesë me devocion në Meshë, e që do t’i luten Jezu Krishtit për meshtarët, u jepet Ndjesa e Plotë, me kusht që t’i kenë shlyer mëkatet e veta me pendesë dhe me uratë sipas ndjeteve të Papës Shenjtë në këto ditë: në atë të 150-vjetorit të kalimit në amshim të Shën Gjon Maria Vianejt; të enjten e parë të muajit dhe në çdo ditë tjetër që caktohet nga Ordinarët e vendit.


Të moshuarve, të sëmurëve dhe të gjithë atyre që për arsye të forta nuk mund të dalin nga shtëpia, e që e kanë shpirtin larg nga çdo lloj mëkati e që në zemër të tyre dëshirojnë t’i përmbushin tri kushtet e zakonshme porsa t’u jepet mundësia, do t’u jepet në mënyrë të barabartë Ndjesa e Plotë në ditët e përmendura më lart.
Në fund Ndjesën e Plotë mund ta fitojnë edhe të gjithë besimtarët sa herë që do të thonë me devocion pesë “At’ ynë”, “Falemi Mri” dhe “Kjoftë lumnia” apo uratë të tjera të miratuara posaçërisht në nder të Zemrës Tejet të Shenjtë të Jezu Krishtit e që thuhen për meshtarët, që këta të qëndrojnë të pastër dhe të shenjtë.


Dekreti në fjalë është i vlefshëm për të gjithë vitin pavarësisht udhëzimeve të tjera që mund ta kundërshtojnë atë.







All the contents on this site are copyrighted ©.