2009-05-13 18:10:24

Papa refugjatëve të kampit “Aida”: tragjik ndërtimi i murit, por për arritjen e paqes, izraelitët e palestinezët duhet të dalin nga spiralja e dhunës


(13.05.2009 RV)RealAudioMP3 Pasditja e Papës filloi në orët e para me vizitën në Shpellën e Lindjes së Krishtit, e cila ndodhet në Bazilikën me të njëjtin emër. Në këmbët e Elterit të Lindjes së Krishtit, nën kujdesin e greko-ortodoksëve, nën një pllakë mermeri ndodhet një yll i argjendtë ku shkruhet në latinisht “Këtu, nga Virgjëra Mari, lindi Jezu Krishti”.
Më pas, nga kujtimi i Foshnjës Hyjnore në foshnjet e sotme, në Spitalin e Fëmijëve të Karitasit, gjithnjë në Betlehem. Benedikti XVI u prit nga dy ipeshkvij përfaqësues të katolikëve të Zvicrës e Gjermanisë, që mbështesin spitalin, pastaj vizitoi pavionin e të porsalindurve e më tej, u ndal në kapelë për një lutje. Prekës momenti i marrjes në duar të një fëmije lindur para kohe, me emrin Elias. I bukur edhe çasti i lutjes para shtatores së Zojës, e cila në vitin 2002 u qëllua nga tanket izraelite, gjatë pushtimit të Betlehemit. Benedikti XVI i dhuroi spitalit një aparat të teknologjisë së lartë për fëmijët e lindur para kohe.
Pas spitalit, një realitet i hidhur e priste Atin e Shenjtë, Kampi i Refugjatëve “Aida”, ku ndodhen rreth 5 mijë palestinezë, të vendosur aty në vitin 1948, pas lindjes së Shtetit të Izraelit, dhe më 1967, pas së ashtuquajturës “luftë të gjashtë ditëve”. Aktualisht, në të gjitha kampet e Territoreve, jetojnë 1 milion e 300 mijë palestinezë. Papa u shprehu atyre solidaritetin e tij personal dhe u bëri jehonë aspiratave të ligjshme për strehë, për t’u kthyer në vendet e lindjes e për të pasur një atdhe. Kujtoi ngjarjet e majit 1948 dhe vitet e konfliktit akoma të pazgjidhur, që i pasuan, e iu drejtua refugjatëve me këto fjalë:
“Aspiratat tuaja të ligjshme për një atdhe të përhershëm, për një shtet palestinez të pavarur, mbeten të paplotësuara. E ju jeni zënë në kurthin e spirales së dhunës, të sulmeve e kundërsulmeve, të hakmarrjeve e shkatërrimeve të vazhdueshme, si shumë në këtë zonë e në botë… Jemi të ndërgjegjshëm për pikën e vdekur ku duket se kanë arritur kontaktet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve – muri”.
Muri! Në një botë ku muret bien e kufijtë hapen, ka një vend, që është Betlehemi, që është vendi i lindjes së Shëlbuesit të njerëzimit, ku muret ngrihen. E mbeten! Pavarësisht nga impenjimi i njerëzve vullnetmirë, muri, i ndërtuar nga Izraeli me qëllime mbrojtëse, sipas versionit zyrtar, ndan familje e fqinjë, kufizon lirinë e lëvizjes e ngurtëson zemrat. Papa përmendi të gjitha organizatat e misionet katolike, që në këtë tokë bëhen “mjete të paqes”, siç i quajti. Falenderoi Misionin papnor për Palestinën, i cili punon që prej 60 vjetësh, motrat françeskane të Zemrës së Papërlyer të Shën Marisë e anëtarët e tjerë të Familjes françeskane për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në këto troje. Por megjithë punë e tyre, muri mbetet:
“Nga të dyja anët e murit është i nevojshëm guxim i madh për të kapërcyer frikën e mosbesimin, nëse duam të kundërshtojmë nevojën e hakmarrjes për humbjet apo plagosjet. Duhet zemërgjerësi për të kërkuar pajtimin pas vitesh konflikti të armatosur. E historia na mëson se paqja arrihet vetëm kur palët në konflikt janë të gatshme të lënë mënjanë paditë e të punojnë për qëllime të përbashkëta, duke i marrë seriozisht interesat dhe shqetësimet e tjetrit e duke u përpjekur me vendosmëri të krijojnë një atmosferë besimi”.
Ati i Shenjtë u kërkoi të rinjve të përgatiten që të bëhen përgjegjësit e ardhshëm të punëve të popullit palestinez e familjeve, t’i mbështesin në studime. Papa e bëri të qartë se kërkohet edhe impenjimi i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare e përsa i përket vetes e Selisë së Shenjtë, në fjalimin e lamtumirës nga Betlehemi, pas vizitës së kortezisë në Pallatin presidencial, ku u takua sërish me presidentin palestinez Mahmud Abaz, theksoi:
“Ju siguroj se do të shfrytëzoj çdo rast për t’i nxitur palët e përfshira në bisedimet për paqen të punojnë për një zgjidhje të drejtë, që të respektojë aspiratat e ligjshme si të izraelitëve, ashtu edhe të palestinezëve. Si hap të rëndësishëm në këtë drejtim, Selia e Shenjtë dëshiron të vendosë shpejt, në marrëveshje me Autoritetin Palestinez, Komisionin e përhershëm dypalësh të punës, që është përvijuar në Marrëveshjen bazë, të nënshkruar në Vatikan, më 15 shkurt 2000”.
Nesër, dita e shtatë e shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Tokën Shenjte, Papa do të shkojë në Nazaret, vendi ku ndodhet Bazilika e Zojës Nunciatë, që kujton momentin e ardhjes së engjëllit për të lajmëruar Shën Marinë se ajo mbante në kraharor Shëlbuesin e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.