2009-05-13 14:46:21

Papa në Betlehem: vendlindja e Jezusit fton për të dëshmuar ngadhënjimin e dashurisë mbi urrejtjen. Solidaritet shtegtarëve të Gazës: të hiqet embargoja!


(13.05.2009 RV)RealAudioMP3 Papa arriti sot në Betlehem pak para orës 8.00. Pas ceremonisë së mirëseardhjes me presidentin Abaz, shkoi në Sheshin e Grazhdit, për të kremtuar Meshën Shenjte.
Në homelinë e Meshës u shprehu afërsinë posaçërisht shtegtarëve të ardhur nga ‘Gaza e martirizuar’ për shkak të luftës:
“I ask you to bring back to your families…
Ju lutem – u tha Ati i Shenjtë - t’u çoni familjeve e bashkësive tuaja përqafimin tim të përzemërt, ngushëllimet e mia për humbjet, fatkeqësitë e vuajtjet, që u detyruat të përballoni. Duhet të jeni të sigurt se nuk do t’ju mungojë kurrë solidariteti im në veprimtarinë e pafundme të rindërtimit, që vijon, e lutjet e mia, që të hiqet sa më shpejt embargoja”.
Pastaj foli për domethënien e Betlehemit: “Për burrat e gratë e të gjitha vendeve, Betlehemi është vendi i lajmit të gëzueshëm të rilindjes, të përtëritjes, të dritës e të lirisë. E megjithatë këtu, mes nesh, përmbushja e këtij premtimi mahnitës, duket shumë e largët!”.
Kështu u shpreh Benedikti XVI, e shtoi:
“Christ brought a Kingdom which is not of this world…
Krishti solli një mbretëri, që nuk është e kësaj bote, e megjithatë është mbretëri e aftë t’ia ndryshojë faqen kësaj bote, sepse ka fuqinë të shndërrojë zemrat, të shndrisë mendjet e të çelnikosë vullnetet. Duke marrë natyrën njerëzore, si ne, me të gjitha ligështitë, e duke e shndërruar këtë natyrë me fuqinë e Shpirtit Shenjt, Jezusi na fton të jemi dëshmitarë të fitores së tij mbi mëkatin e mbi vdekjen”.
E pikërisht për këtë na fton mesazhi i Betlehemit: të dëshmojmë ngadhënjimin e dashurisë së Zotit mbi urrejtjen, mbi egoizmin, mbi frikën e mbi mllefin, që paralizojnë marrëdhëniet njerëzore e krijojnë përçarje ndërmjet vëllezëve, të cilët duhet të jetonin së bashku.
Fjalë tejet prekëse në përfundim të homelisë:
“The ancient Basilica of the Nativity, buffeted by the winds of history…
Bazilika e lashtë e Lindjes së Krishtit, e vënë në provë nga shtrëngatat e historisë, e rënduar nga pesha e shekujve, lartohet para nesh si dëshmitare e fesë, që e mund botën e ngadhënjen mbi të. (cfr Gjn.5,4). Asnjë shtegtar i Betlehemit nuk mund të mos vërejë se, në rrjedhë shekujsh, porta e madhe që të çon në shtëpinë e Hyjit është bërë gjithnjë më e vogël. Të lutemi që, me hirin e Zotit e impenjimin tonë, porta që të çon në misterin e banesës së Zotit mes njerëzve, në tempullin e bashkimit tonë në dashurinë e tij e në përshpejtimin e një bote me paqe e gëzim, të zmadhohet gjithnjë më shumë, për të pritur çdo zemër njerëzore, për ta përtërirë e për ta shndërruar”.
Kështu nga Betlehemi do të vijojë të jehojë mesazhi, që iu besua barinjve, ne, njerëzimit:
“Lumni i qoftë Zotit në lartësi të qiejve, e paqe njerëzve që i ka për zemër”!
“Glory to God in the highest, and on earth, peace to those whom he loves! Amen!".







All the contents on this site are copyrighted ©.