2009-05-13 17:19:27

Jeruzalem: koncert për pajtimin.


(13.05.2009 RV)Me rastin e vizitës së Benediktit XVI në Tokën Shenjte, sonte Jeruzalemi është në festë. Festë e madhe, ndërkombëtare e ndërfetare, me këngë e valle, festë e bashkimit dhe e paqes ndërmjet popujve. Titullohet ‘Koncert për pajtimin’ dhe organizohet nën kujdesin e Komunes së Romës, nga Sat 2000, emitente satelitare e ipeshkvijve italianë. Skena e koncertit është amfitetari romak Bet She’an, që zë 7000 vetë, sonte përplot me njerëz në festë. Në skenë po ngjiten njëri pas tjetrit të rinj të fesë hebraike, të krishterë, myslimane.
Në se Edeni ndodhet në Izrael, portat e tij janë në Bet She’an – na kujton një traditë e lashtë hebraike. Sonte këto porta janë në skenën e ndritshme të amfiteatrit romak, ku këndohet e vallëzohet për paqen, për pajtimin, madje tregohet edhe si mund të sigurohet paqja aq e dëshiruar: paqja nis nga zemrat e njerëzve, nga zemrat e artistëve, nga zemrat këtyre të rinjve, që shprehin, pranë e pranë, besimin në mesazhin paqësor të Papës.
I pranishëm, edhe kori Magnificat Institut, i përbërë nga 20 vajza hebreje, të krishtera e myslimane si dhe orkestra me 150 instrumentistë.







All the contents on this site are copyrighted ©.