2009-05-12 16:17:30

Rojtaria e Tokës Shenjte


(12.05.2009 RV)Rojtaria e Tokës Shenjte e Fretërve të Vegjël u themelua në vitin 1217. Në vitin 1291, pasi ra Mbretëria Latine e Jeruzalemit, kuvendet e Sirisë e të Palestinës u shkatërruan nga saraçenët, bashkësitë e ritit lindor i përzunë nga rajoni dhe shumë rregulltarë u vranë. Në vitin 1333, mbretërit e Napolit, Roberti dhe e shoqja Sança, blenë nga Sulltani i Stambollit (Kostandinopoja e dikurshme) disa vende të Shenjta dhe ia besuan ruajtjen e tyre Urdhërit të Fretërve të vegjël. Kjo u konfirmua nga Papa Klementi VI me një Letër Apostolike të 21 nëntorit 1342. Fretërit e Vegjël u lejuan të qëndronin si përfaqësues të katolikëve në Rojtarinë e Vendeve të Shenjta, pranë Çenakullit. Të dëbuar nga Shenjtërorja, në mesin e shekullit XVI, Fretërit e Vegjël, pas ndërhyrjes së Republikës së Venedikut, mundën të blinin nga murgjërit gjeorgjianë kuvendin, që quhet “i Kolonës”, kuvendi aktual i Shëlbuesit të Shenjtë. Përveç pushtetit të Eprorit, Rojtari kishte jurisdiksion mbi klerin e mbi popullin e Jeruzalemit, deri në vendosjen e Patriarkatit Latin (Letra Apostolike “Nulla celebrior”, 23 korrik 1847). Rojtari i Tokës Shenjte, që e ka selinë në kuvendin e Shëlbuesit të Shenjtë që nga viti 1558, ndihmohet nga një Vikar e nga gjashtë Diskretë (këshilltarë), të cilët u takojnë grupimeve të ndryshme gjuhësore (francez, anglez, italian, lindor, spanjoll, sllavo-gjerman). Ai ka gjithashtu privilegjin e shenjave ipeshkvnore dhe e shtrin juridiksionin mbi të gjitha kuvendet françeskane të rajonit (Jordania, Izraeli, Libani, Qipro, Egjipti dhe Rodi). Rojtari aktual i Tokës Shenjte është atë Pierbatista Picabala (www.custodia.org).








All the contents on this site are copyrighted ©.