Papa në Sheshin e Xhamive: arsyeja, liria e dashuria e çlirojnë njeriun nga urrejtja
e hakmarrja.
(12.05.2009 RV)Paraditen e sotme
Papa e nisi me vizitën në Sheshin e Xhamive. Mesazhi i Benediktit XVI në këtë vend
tejet shenjt për Islamin, mund të përmblidhet me këto fjalë: “Fidelity to
the One God… Besnikëria ndaj Zotit të vetëm, Krijues, i Tejetlartë,
i nxit njerëzit të pranojnë se lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me njëri-tjetrin,
sepse të gjithë ia kanë borxh jetën të vetmit burim e shkojnë drejt të njëjtit fund.
Prandaj adhuruesit e një Zoti të vetëm duhet të jenë njerëz që ecin vendosmërisht
drejt bashkimit të mbarë familjes njerëzore”. E Benedikti XVI e nisi takimin
e parë të sotëm me përshëndetjen aq të dashur për myslimanët: “As- Salàmu ‘alaikum!”.
‘Paqja qoftë me ju!”. Në vijim, nënvizoi: “The Dome of the Rock draws our
hearts… Kupola e Shkëmbit’ i nxit zemrat tona e mendjet tona të reflektojnë
për misterin e krijimit e fenë e Abrahamit. Këtu udhët e tri feve monoteiste takohen,
duke kujtuar gjithçka kanë të përbashkët. Secila e njeh Abrahamin si atë, si njeri
feje, të cilit Zoti i dha një bekim të posaçëm, secila tërheq aradhe ithtarësh në
rrjedhë shekujsh e frymëzon një trashëgimi të pasur shpirtërore, intelektuale e kulturore”.
Në një botë plot me përçarje të dhimbshme, ky vend i shenjtë shërben si
nxitje e sfidë për të gjithë njerëzit vullnetmirë, të cilët i fton t’i kapërcejnë
keqkuptimet e konfliktet e së kaluarës e të ecin në rrugën e dialogut të sinqertë,
për ndërtimin e një bote më të drejtë e më paqësore, trashëgim për breznitë e ardhshme. Pas
incidentit që shkaktoi dje Shehu Taisir Atamimi gjatë vizitës së Papës në qendrën
‘Notre Dame’, Benedikti XVI – saktëson zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Atë Federiko
Lombardi - nuk iu përgjigj diskutimit të Shehut, sepse nuk ishte as i parashikuar
e as i dëshiruar. Krerët fetarë – vijoi Atë Lombardi - e kanë për detyrë të promovojnë
sjelljet etike e vlerat, t’i hapin udhën politikanëve e të tjerëve, për të ecur drejt
paqes, ashtu si Papa, që po punon pikërisht për paqen. Sot paradite, gjatë vizitës
në Kupolën e Shkëmbit, edhe Kryemyftiu bëri kërkesa të ngjashme me ato të Shehut,
por në një mënyrë tjetër, jo agresive.