2009-05-12 18:17:01

Papa gjatë Meshës në Luginën e Jozafatit: “Jeruzalemi të jetë qytet i paqes, jo i diskriminimit”.


(12.05.2009 RV)RealAudioMP3 Dita e sotme e vizitës së Papës Benedikti XVI në Tokën Shenjte u karakterizua nga një sërë takimesh e aktivitetesh të rëndësishme për të krishterët e pranishëm në ato troje dhe për dialogun me myslimanët e hebrenjtë. Akoma edhe sot, Ati i Shenjtë ndodhej në Jeruzalem, nga ku nesër e pasnesër do të shkojë në Betlehem e Nazaret.


Pa dyshim, mesha e pasdites në Luginën e Jozafatit, në praninë e mëse 6 mijë vetëve, ishte ajo, në të cilën më mirë se kudo tjetër, Benedikti XVI iu referua rolit historik e shpirtëror të Jeruzalemit, “Qytetit të paqes”, siç e quajti edhe në lutjen e vendosur sot paradite në Murin e Lotëve. Papa foli me pasion për vokacionin e Jeruzalemit, në një skenar të pashembullt, në këmbët e malit të Ullinjve, ku Krishti u lut e vuajti, ku derdhi lot për këtë qytet nga dëshira që ai të njohë “rrugën e paqes”. E vërtet Lugina e Jozafatit ndodhet para Bazilikës së Gjetsemanit e Kopshtit të Ullinjve. Benedikti XVI kujtoi se profecia e lashtë kërkon që në Jeruzalemin qiellor, Zoti të fshijë lotët nga çdo sy e të përgatisë një banket shëlbimi për të gjithë popujt. Por sa larg është realiteti i sotëm nga ky premtim i Hyjit:
“Në këtë Qytet të Shenjtë, ku jeta ka mundur vdekjen, ku Shpirti i Hyjit është ndikuar si fryt i parë i krijimit të ri, shpresa vazhdon të luftojë me dëshpërimin, me zhgënjimin e me cinizmin, ndërsa paqja, që është dhuratë e thirrje e Zotit, vazhdon të kërcënohet nga egoizmi, nga konflikti, nga ndarja e nga pesha e fyerjeve të kaluara”.
Jo vetëm bashkësia e krishterë, por edhe ajo myslimane dhe ajo hebre, që shohin te Jeruzalemi pikën më të rëndësishme të referimit për fenë e tyre, atdheun e tyre shpirtëror, duhet të bëjnë ç’është e mundur për ta kthyer këtë qytet, në vend paqeje për të gjithë popujt, ku të gjithë të mund të shtegtojnë për të kërkuar Zotin, për t’ia dëgjuar zërin, “një zë që flet për paqe”, tha Papa:
“Ata që besojnë në Zotin e mëshirës – qofshin hebrenj, kristianë apo myslimanë – duhet të jenë të parët që e nxisin kulturën e pajtimit e të paqes, sado i ngadalshëm të jetë procesi e sado e madhe, pesha e kujtimeve të kaluara”.
Nëse Jeruzalemi dëshiron ta jetojë vokacionin e vet universal, vazhdoi Ati i Shenjtë, duhet të bëhet një vend ku t’u mësohet njerëzve respekti për të tjerët, dialogu dhe mirëkuptimi; një vend ku paragjykimi, injoranca, frika të kapërcehen nga ndershmëria, integriteti dhe kërkimi i paqes.
Ashtu siç bëri gjatë paradites, edhe në Meshën në Luginën e Jozafatit, Papa iu kthye fatit të të krishterëve në Lindjen e Mesme, shpesh të detyruar të emigrojnë për shkak të vështirësive, vuajtjes, konflikteve. U tha atyre se prania e tij në këto troje, në këtë udhëtim apostolik, tregon se bota e Kisha nuk i kanë harruar. U vuri në dukje se dëshmia e tyre është e çmuar para syve të Zotit, e pastaj shtoi:
“Dëshiroj sot të përsëris atë që kam thënë edhe në raste të tjera: në Tokën Shenjte ka vend për të gjithë! Ndërsa u bëj thirrje autoriteteve të respektojnë e ta mbështesin praninë e krishterë këtu, dëshiroj t’ju siguroj solidaritetin, dashurinë dhe mbështetjen e krejt Kishës e të Selisë së Shenjtë”.
Papa Racinger theksoi se pikërisht në këto vende të Tokës Shenjte, ashtu si apostujt, besimtarët kanë mundësinë të shohin e të besojnë, të prekin me dorë historinë e shëlbimit, të ripohojnë fenë e tyre para atij guri të rëndë, që ditën e Pashkëve lëvizi e la të lirë hyrjen e Varrit të Krishtit, nga ku kaloi Jezusi i Ringjallur. Mundësi këto që nuk i ka gjithkush. Prandaj Papa përfundoi me fjalët:
“Lutja ime për ju sot është të vazhdoni, ditë për ditë, “të shihni e të besoni” në shenjat e Provanisë Hyjnore e të mëshirës pa fund të Zotit, “të dëgjoni” me fe e shpresë të përtërirë fjalët ngushëlluese të predikimit apostolik dhe “të prekni” burimet e hirit në sakramente e të mishëroni për të tjerët detyrën për t’ia filluar nga e para, lirinë që lind nga falja, dritën e brendshme, paqen që mund të sjellë shpërblim e shpresë edhe në realitetin më të errët njerëzor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.