2009-05-12 12:13:06

Deklaratë e drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë për fjalët e sheikut Atamimi në takimin ndërfetar në Jeruzalem.


(12.05.2009 RV)Gjatë takimit të djeshëm ndërfetar në Jeruzalem, presidenti i Gjykatës së Lartë palestineze, shehu Tajsir Atamini, shfrytëzoi mbledhjen dhe i paftuar, në arabisht, sulmoi Izraelin, duke shkaktuar reagime të menjëhershme nga hebrenjtë e pranishëm, nga zëdhënësi i Vatikanit dhe nga qeveria e Tel Avivit. Ne po ju njohim me qëndrimin e Selisë së Shenjtë, përmes deklaratës së atë Federiko Lombardit:

“Ndërhyrja e shehu Tajsir Atamini nuk ishte parashikuar nga organizatorët e takimit. Në një ngjarje që i kushtohet dialogut, ndërhyrja e tij ishte mohim i dialogut. Urojmë që ky incident të mos kompromentojë misionin e Papës, i cili ka për qëllim nxitjen e paqes e të dialogut ndërmjet feve, siç ka pohuar qartë në shumë fjalime të këtij udhëtimi. Urojmë edhe që dialogu ndërfetar në Tokën Shenjte të mos kompromentohet nga ky incident”.

Shehu Atamimi akuzoi Izraelin se e ka kthyer Jeruzalemin në burg, duke penguar hyrjen e myslimanëve dhe të të krishterëve në të. Akuzoi se ka vjedhur monumente arkeologjike të Islamit në vendet e tij te kultit, se ka ushtruar dhunë kundër besimtarëve, se nuk respekton të drejtat e palestinezëve e se po u merr atyre tokën. Atamimi iu drejtua Papës dhe i kërkoi që t’i dënojë këto “krime”, të bëjë presion mbi qeverinë izraelite që të ndalojë ofensivat kundër palestinezëve, të shkatërrojë murin e ndarjes, të largojë kolonët e t’u japë tokat pronarëve të ligjshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.