2009-05-12 16:15:18

Ati i Shenjtë në Çenakull: jetike për shoqërinë prania e të krishterëve në Tokën Shenjte


(12.05.2009 RV)RealAudioMP3 Veprimtaria e fundme e paradites së Papës në Jeruzalem, ishte takimi me ipeshkvijtë e Tokës Shenjte dhe vizita në Konkatedralen latine. Pak më përpara, duke vizituar Çenakullin, foli kryesisht për ekumenizmin, në një mjedis thellësisht fetar, lidhur ngushtë me ngjarjen historike të Darkës së Mbrame të Zotit tonë, me Pjetrin e Apostujt e tjerë, që e fton mbarë Kishën në lutje kundruese. Këtë kujtoi Papa këtu, ku Jezusi, duke dhuruar korpin e gjakun e Tij, zbuloi thellësi të reja të besëlidhjes së Zotit me popullin e vet:
“In the Upper Room the mystery of grace and salvation…
Në Çenakull, misteri i hirit e i shëlbimit tonë, mund të shprehet vetëm me fjalë dashurie. Jeta jonë e krishterë nuk është thjeshtë përpjekje njerëzore për të jetuar si kërkon Ungjilli, duke e parë këtë si detyrë. Në Eukaristi ne hyjmë në zemrën e misterit hyjnor”.
Kështu u shpreh Papa e në vijim reflektoi mbi rolin e bashkësive të krishtera në Tokën Shenjte, duke i inkurajuar barinjtë e besimtarët të jetojnë të bashkuar e të bëhen dëshmitarë e ndërtues të paqes në shoqëri:
“This transforming love, wich is grace and truth…
Kjo dashuri që shndërron – porositi Benedikti XVI - që është hir e vërtetësi, na nxit si individë e si bashkësi, t’i mposhtim tundimet për t’u mbyllur në vetvete, në egoizëm a në plogështi, në izolim, në paragjykim a në frikë, e t’ia dhurojmë bujarisht jetën Zotit e të tjerëve. Na nxit, si bashkësi të krishtera, t’i qëndrojmë besnike misionit tonë me çiltërsi e guxim”.
Benedikti XVI i nxiti bashkësitë e krishtera t’i përballojnë, të bashkuara, vështirësitë që burojnë nga një shoqëri plot larmi:
“The different Christian Churches found here represent a rich and varied spiritual patrimony…
“Kishat e krishtera, që ndodhen këtu, përfaqësojnë një trashëgimi shpirtërore të pasur e të larmishme e janë shenjë e formave të shumta të ndërveprimit të Ungjillit me kulturat e ndryshme. Na kujtojnë edhe se misioni i Kishës është të predikojë dashurinë universale të Hyjit e t’i bashkojë nga larg e nga afër, të gjithë ata që thirren prej Tij, në mënyrë që, me traditat e talentet e tyre, të formojnë familjen e vetme të Hyjit”.
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë e në vijim kujtoi ndikimin e Koncilit II të Vatikanit në thellimin e dialogut ekumenik, me bindjen se vetëm të bashkuar, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të krishterët mund ta realizojnë misionin e tyre në botë.
E duke iu drejtuar posaçërisht të krishterëve të këtyre trojeve, Papa i nxiti të mos largohen nga Toka Shenjte e të bëhen ndërtues të harmonisë e të paqes:
“Christians in the Middle East, together with other people of good will, are contributing, as loyal and responsible citizens…
Të krishterët e Lindjes së Mesme, si qytetarë të ndershëm e të përgjegjshëm, së bashku me njerëz të tjerë vullnetmirë, pavarësisht nga vështirësitë e kufizimet, po japin ndihmesën e tyre në promovimin e në fuqizimin e paqes, në sa jetojnë në një mjedis plot larmi – tha Papa – dhe i siguroi ipeshkvijtë se nuk do t’u mungojë kurrë mbështetja në veprimtarinë për t’i ndihmuar vëllezërit e motrat e krishtera që të mbeten në trojet e të parëve e të jenë lajmëtarë e nismëtarë të paqes. E këtu Papa theksoi rëndësinë që kanë formimi kulturor, përgatitja profesionale e nisma të tjera shoqërore dhe ekonomike për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës.
E Benedikti XVI nuk harroi t’u bënte thirrje të krishterëve të mbarë botës, për t’i ndihmuar me të gjitha forcat vëllezërit e tyre, që jetojnë në Tokën Shenjte:
“I renew my appeal to our brothers and sisters to support…
Përsëris thirrjen time drejtuar vëllezërve e motrave të mbarë botës t’i ndihmojnë e t’i kujtojnë në lutje bashkësitë e krishtera të Tokës Shenjte e të Lindjes së Mesme theksoi Ati i Shenjtë – duke falënderuar, në vijim, bashkësitë e kësaj Toke për rolin e rëndësishëm që luajnë në shërbim të Kishës universale përmes mikpritjes e udhëheqjes së shtegtarëve e vizitorëve, të cilët shkelin këtu, në kërkim të frymëzimit e të përtëritjes, në gjurmët e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.