2009-05-11 18:37:18

Të çrrënjoset nga zemra çdo gjë që mund të sjellë përsëri tragjedi si ajo e Holokaustit: kështu foli Papa në Memorialin e Jad Vashemit.


(11.05.2009 RV)RealAudioMP3 Shfarosja e hebrenjve gjatë Luftës II Botërore ishte qendra e fjalimit të Papës, gjatë vizitës së pasdites në Memorialin Jad Vashem, që në hebraisht do të thotë “Një përkujtim, një emër”. Veçanërisht prekëse firma e Atit të Shenjtë në librin e nderit, ku Benedikti XVI shkroi një frazë nga Libri i Vajtimeve: “Mëshira e Hyjit nuk mungoi”. Nuk u shua as kujtimi i atyre, që u masakruan nga nazistët. Emrat janë të gjitha të shkruara në Sallën e Kujtesës, ku Papën e pritën presidenti i Izraelit dhe Rabini – kryetar i Këshillit të Jad Vashemit:
“Mund t’i vjedhësh të afërmit pasurinë, ndonjë shans, ose lirinë. Mund të thuret një rrjet i mefshtë gënjeshtrash për t’i bindur të tjerët se një grup i caktuar nuk meriton respekt. Megjithatë, sado të përpiqemi, nuk mund t’i marrim kurrë “emrin” tjetrit”.
Fjala e Papës ishte e mbushur me citime nga Shkrimi Shenjt. Ai kujtoi se Zoti i ka thirrur gjithnjë njerëzit me emër. Flaka e përjetshme, që sot vetë Papa e përtëriu, bën që emrat e viktimave të Shoa-ut të mos harrohen. Po kështu edhe të mbijetuarit, disa prej të cilëve Ati i Shenjtë i takoi, na kujtojnë gjithnjë atë që ndodhi. Kontributi i dhënë nga ata që Izraeli i quan “të Drejtë”, njërit prej të cilëve, Ivan Vranetiçit, Papa i shtrëngoi dorën, na sjell ndërmend se dhunës mund t’i thuhet “JO”:
“Mos humbshin kurrë emrat e këtyre viktimave! Vuajtjet e tyre të mos mohohen, të mos zvogëlohen e të mos harrohen kurrë! Çdo njeri vullnetmirë të vigjëlojë për të çrrënjosur nga zemra e njeriut çdo gjë që mund të sjellë tragjedi të ngjashme!”
Ati i Shenjtë vendosi një kurorë me lule, theksoi impenjimin e Kishës Katolike përkrah të gjithë atyre që persekutohen për shkak të racës, ngjyrës, kushteve të jetesës apo fesë, dhe falenderoi që iu dha mundësia të qëndronte në heshtje në Memorialin Jan Vashem. “Heshtje për të kujtuar, heshtje për të shpresuar”, tha Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.