2009-05-11 18:38:51

Papa në Tel Aviv.


(11.05.2009 RV)Tel Aviv- Jafa, është qendra më e madhe urbane, ekonomike e kulturore në Izrael, me 360. 000 banorë, 1. 142 . 000 në qendrat qytetare të banimit, pothuajse një e katërta e popullsisë izraelite. Jeta e qytetit nisi më 1950, kur Porti i lashtë i Jafës u shkri me rrethinat hebraike të tij, të quajtura Tel Aviv (Kodra e Pranverës). U rrit me shpejtësi nga ardhja e vazhdueshme e emigrantëve të rinj. Jafa njihet që në epokën kananèe (shek XV para Krishti). U pushtua më parë nga egjiptianët e, më pas, nga filistenjtë. Mbreti David e çliroi e i biri, Salomoni, nisi të mblidhte nga porti, drurin e çedrit që fenikasit e lëshonin në ujë në Tir, për ndërtimin e Tempullit të Jeruzalemit, Më pas u sulmua nga pushtues të panumërt: nga Aleksandri i Madh, romakët, kryqtarët, mamelukët e otomanët. Në vitin 1948, kur u njoftua se do të krijohej shteti i Izraelit, popullsia arabe e qytetit (65 mijë vetë, gjysma e banorëve) u largua nga vendi, të cilin e zunë menjëherë emigrantët hebrenj, që gjetën një qytet gjysëm të zbrazët. I ndërtuar mbi tri kodra, qyteti shtrihet sot në një hapësirë prej 10 kilometrash gjatë bregdetit mesdhetar, në qendër të vendit. Më se gjysma e instalimeve industriale izraelite: industri tekstile, ushqimore, metalurgjike, elektronike, informatike, e përpunimit të diamanteve etj. etj., ndodhen në zonën metropolitane të Tel Aviv-Jafës. Tel Avivi është qendra kryesore e shtypit dhe e editorisë izraelite. Ishte porti i dytë i rëndësishëm i vendit deri më 1965, kur u përurua porti i Ashdodit, 30 kilometra më në jug. Universiteti i Tel Avivit u hap më 1956 ndërsa ateneu fetar i Bar-Ilan, më 1953. Institute e shkolla të shumta teologjike e rabinike tërheqin studentë nga të katër anët e botës.
Në Tel Aviv e kanë selinë edhe Orkestra Simfonike dhe Teatri Kombëtar i Operas.







All the contents on this site are copyrighted ©.