2009-05-11 18:37:49

Në takimin me presidentin e Izraelit, Ati i Shenjtë theksoi se vlerat mbrohen vetëm kur zbatohen e jetohen


(11.05.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI pati rastin t’u drejtohet krerëve fetarë edhe gjatë vizitës së kortezisë te presidenti i Izraelit, Shimon Peres. Pikërisht, së bashku me kreun e shtetit, të cilin e lavdëroi për impenjimin në favor të paqes e drejtësisë, Papa mbolli një filiz të ri, në oborrin e Pallatit presidencial, ku ishin të pranishëm rreth 300 personalitete politike e fetare. Kam ardhur, tha Papa, të lutem për bashkimin e paqen në Tokën Shenjte, paqe që lind nga drejtësia. Por paqja është para së gjithash, dhuratë hyjnore, shtoi Papa, që duhet kërkuar me zemër. E duke kujtuar kontributin e feve për këtë, Benedikti XVI iu drejtua krerëve të krishterë, myslimanë e hebrenj:
“E jona është detyra për të shpallur e për të dëshmuar se i Gjithëpushtetshmi është i pranishëm dhe i njohshëm edhe kur nuk na shfaqet para syve, se Ai vepron në botë për të mirën tonë, dhe se e ardhmja e shoqërisë shënohet nga shpresa kur vibron në harmoni me rendin hyjnor. Është prania dinamike e Hyjit që mbledh zemrat e siguron bashkimin….
…Të impenjohemi pra, që përmes mësimeve dhe udhëheqjes së bashkësive tona respektive, t’i mbështesim ato që t’i mbeten besnikë asaj që janë si besimtarë, gjithnjë të vetëdijshëm për mirësinë pa fund të Zotit, për dinjitetin e padhunueshëm të çdo njeriu dhe të krejt familjes njerëzore”.
Duke iu drejtuar më pas politikanëve, Papa iu referua gjendjes në Tokën Shenjte, konflikteve që e përshkojnë dhe detyrës së përgjegjësve shtetërorë për t’i dhënë popullit sigurinë e kërkuar, pa rënë pre e interesave të veçanta personale:
“Dëgjoj thirrjen e atyre që jetojnë në këtë vend e kërkojnë drejtësi, paqe, respekt për dinjitetin e tyre, siguri të qëndrueshme, jetë të lirë nga frika e kërcënimeve të jashtme dhe e dhunës pa kuptim. E di se një numër i konsiderueshëm burrash, grash e të rinjsh po punojnë për paqen e solidaritetin përmes programeve kulturore e nismave praktike; të përvujtë aq sa të falin, ata kanë guximin t’i shtrëngojnë fort ëndrrat, siç është e drejta e tyre”.
Por si mund të kërkohet siguria e jetës, aspiratë e drejtë si për hebrenjtë, ashtu edhe për palestinezët, në konflikt të vazhdueshëm ndërmjet tyre? Papa tregoi një rrugë që nuk ndryshon kurrë dhe që është e vlefshme gjithnjë, në çdo kohë:
“Siguri, integritet, drejtësi e paqe: në planin e Hyjit për botën ato janë të pandashme. Larg së qeni thjesht produkt i përpjekjeve njerëzore, ato janë vlera që rrjedhin nga marrëdhëniet themelore të Zotit me njeriun dhe qëndrojnë si pasuri e përbashkët në zemrën e çdo individi. Ekziston një rrugë e vetme për t’i mbrojtur e promovuar ato vlera: të vihen në zbatim! të jetohen!”







All the contents on this site are copyrighted ©.