2009-05-11 18:39:29

Memoriali i Yad Vashem


(11.05.2009 RV)Është monumenti përkujtimor i Holokaustit, shfarosjes masive të hebrenjve nga nazistët. Yad Vashem do të thotë: ‘Një përkujtim e një emër”. Vendimin për ndërtimin e tij e mori Parlamenti Izraelit (Knesset) në vitin 1953. Ndërtesa ka Sallën përkujtimore, Muzeun historik, Galerinë e artit, Sallën e emrave, Arkivin, Luginën e bashkësive të humbura, Qendrën edukative dhe Kopshtin e famshëm të të Drejtëve ndërmjet kombeve, për nder të njerëzve nga të gjitha kombet e fetë, që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga shfarosja.
Memoriali ngrihet pranë Malit Herzl, në Majën e Har Hazikaron (Mali i Kujtimit). Mbrenda është ‘Hall of Remembrance”, një strukturë në formë çadre, që përkujton vrasjen e 6 milionë hebrenjve, shpesh bashkësi të tëra hebraike të zhdukura. Këtu, para një flake, që nuk shuhet kurrë, janë shkruar emrat e njëzet e dy kampeve të përqendrimit e ruhen disa nga urnat me hirin e viktimave të furrave krematore. Ndërsa në Arkivin Qendror të Holokaustit e të Heroizmit, ruhen 50 milionë dokumente mbi shfarosjen në masë të hebrenjve.
Papa Gjon Pali II e vizitoi këtë vend më 23 mars të vitit 2000.
Po ju njohim me tekstin e identifikimit të viktimave, që u lexua gjatë vizitës:

“Duke lartuar flakën, që digjet në përjetësi,
në këtë Memorial, para hirit të shenjtë
të vëllezërve tanë, një me ta e ndjejmë veten
një me kujtimine tyre;
me 6 milionë bij prej popullit tonë
që pësuan martirizimin e vdiqën
nga dora e nazistëve dhe e bashkëpunëtorëve të tyre,
së bashku me grupe të vogla e të mëdha hebraike,
të shkatërruara me synimin e ultë për të shlyer
emrin e kulturën e Izraelit në botë.
Me druajtje të shenjtë kujtojmë forcën e shpirtit
të vëllezërve tanë, madhështinë, guximin
e luftëtarëve që ndër geto ndezën
flakën e kryengritjes, duke shpëtuar nderin
E dinjitetin e popullit hebre; kujtojmë luftën
krenare e sublime të Kombit tonë për të shpëtuar
trashëgiminë e etërve e fytyrën njerëzore të bijve.
Kujtojmë, së fundi, ‘ të Drejtit e Kombeve’
që vunë në rrezik jetën e tyre
për të shpëtuar atë të hebrenjve”.

 
E, në përfundim të vizitës në Yad Vashem, Benedikti XVI shkroi në librin e vizitorëve këtë frazë:“‘His mercies are not spent’ (“Mëshira e Hyjit nuk mungoi”), shkëputur nga Libri i Vajtimeve (Vaj 3-22): Poshtë, nënshkrimi: Benedictus PP. XVI”.







All the contents on this site are copyrighted ©.