Lugina e Kedrave ose e Jozafatit: vendi ku Papa do të kremtojë nesër Meshën Shenjte.
(11.05.2009 RV)Në Jeruzalem natyrisht nuk mungojnë Kishat: janë shumë madje,
por asnjëra prej tyre nuk ka hapësirën e duhur për t’i hapur krahët të gjithë besimtarëve
që duan të marrin pjesë në Meshën e Papës në shtegtim. Papa Gjon Pali II pati kremtuar
dy Meshë në Qytetin e Shenjtë: një mbi Varrin e Krishtit, përballë një turme të vogël,
aq sa zinte vendi i kufizuar; e një tjetër, private, në Çenakull, duke gëzuar kështu
një privilegj të pashoq, po të kemi parasysh se vendi ku u themeluan Eukaristia e
Meshtaria, nuk është më kishë, por kapelë në të cilën, pasi u dëbuan françeskanët
më 1551, lejohet vetëm lutja private. Prandaj as Pali VI nuk e kremtoi këtu Eukaristinë. Kisha
katolike më e madhe është Bazilika e Kombeve, që njihet edhe si Bazilika e Gjetsemanit:
zë 800 vetë. E pamjaftueshme, pra, për turmën që pritet të marrë pjesë në Meshën e
nesërme të Papës. U propozua, atëherë, që Mesha të kremtohet nën qiell të hapur
e për këtë qëllim françeskanët vunë në dispozicion një truall që e patën blerë rreth
vitit 1666, i cili në kohë të Krishtit ka shumë mundësi të ketë qenë ngjitur me Kopshtin
e Ullinjve. Tani i ndan vetëm rruga që kalon përmjet. Mesha, pra, do të kremtohet
në sheshin pranë Kopshtit të Gjetsemanit. Duhet të zërë 5000 vetë. Nga tre vendet
e zgjedhura për meshët e Benediktit XVI, ky është, pa dyshim, më i përshtatshmi, sepse
krijon mundësinë për të ecur drejtpërdrejtë në gjurmët e Krishtit. Nuk dihet me siguri
në se Krishti u kthye, kur u rrit, në vendlindje, në Betlehem, por është më se e
sigurt se shkeli shumë herë në këto shtigje, që ngjiten drejt Malit të Ullinjve e
Tempullit të Jeruzalemit. Ndonëse nuk e ka hapësirën e dikurshme, ky vend u ofron
shtegtarëve një panoramë që të mahnit jo vetëm me bukurinë e saj natyrore, por edhe
me pasurinë e Historisë së saj të Shenjtë. Sapo hyn në Luginën e Kedrave, e quajtur
edhe e Jozafatit, shtegtari gjindet menjëherë në udhëkryq ndërmjet dy Besëlidhjeve.
E kjo, sepse Jezusi ishte besimtar hebre praktikant, që shkonte rregullisht në Tempull,
duke nderuar festat e shtegtimet e duke hyrë në dialog me rabinët, siç vijojnë të
bëjnë akoma sot e kësaj dite, ata që studiojnë në shkollat talmudike. Jezusi u
ndesh me klerin e epokës, pikërisht sepse hapi një rrymë të re të judaizmit. E pikërisht
sepse e donte Jeruzalemin, u ngjit në shtigjet e Malit të Ullinjve, për ta kundruar
e për të lotuar mbi të. Kur ngjitet atje ku u ngjit shpesh Jezusi, e shikon djathtas,
drejt perëndimit, shtegtari vëren shtegun prej nga pritej të hyjë Mesia në Jeruzalem.
E, sipas traditës së krishterë, pikërisht këtu Joakimi takoi Anën. Nga bashkimi i
tyre lindi Virgjëra Mari. E po prej këtu duhet të ketë hyrë Jezusi në Jeruzalem
të Dielën e Larit. Duke shikuar drejt jugut, shtegtari mund të kundrojë pinaklin,
siç quhet maja më e lartë e Tempullit, ku djalli tundoi Jezusin. Duke vijuar t’i
shëtisë sytë nga jugu, shtegtari mund të soditë, ndërmjet dy ullinjve, Varrin e Absalonit,
pranë atij të Zakarisë e varrin, që njihet me emrin “i së bijës së faraonit”, pranë
e pranë njëri–tjetrit. Janë monumentet e kësaj zone që Jezusi i ka parë me sytë e
tij e që janë ruajtur të paprekur deri në ditët tona. Kujtojmë se i përkasin shekujve
II e I para Krishtit. Në se i kthen sytë majtas, nga lindja, mund të soditësh
Malin e Ullinjve, me varrezën e hebrenjve, Dominus Flevi, ku përkujtohet edhe sot
vaji i Jezusit mbi Jeruzalem, kishën ruse të Marisë Magdalenë me kupolat e saj të
praruara në formë qepujke; Bazilikën e Kombeve dhe fasadën e Portës së Artë, pranë
së cilës, drunjtë mijëravjeçarë të ullinjve. Duke i kthyer sytë nga veri-lindja,
mund të shikosh varrin e Virgjërës; në veri-perëndim, kuvendin greko-ortodoks ku nderohet
skaji i rrugës, ku u mbyt me gurë i pari martir i krishtërimit, Shën Shtjefni. Ky
vend përmbledh një mori ngjarjesh të historisë biblike, në një hapësirë që ka mbetur
ashtu siç ishte prej mijëra vjetësh. Është e do të mbetet, edhe për Meshën e Papës,
i mbjellur me ullinj, duke krijuar një kënd vërtetë baritor, që të kujton menjëherë
Bariun e Mirë. Këtu mund të kundrosh edhe disa varre. Është varreza e famullisë latine,
ku françeskanët varrosin të vdekurit e kësaj famullie. Tashmë po i jepet dora e
fundit kësaj hapësire. Përveç njerëzve më të rëndësishëm që do të marrin pjesë në
Meshë, nuk do të ketë vende për t’u ulur. Në orën e Meshës vendi do të jetë pjesërisht
në hije; pastaj edhe ullinjtë do të bëjnë punën e tyre. Françeskanët do të ruajnë
që shtegtarët të mos ulen mbi varret e lashta e, sidomos, të mos hipin mbi to për
të parë më mirë. Do të hapet edhe një shteg i ri për të krijuar kështu mundësinë e
hyrjes së lirë të turmës. Shtegu aktual është i ngushtë, duke pasur parasysh se në
Jeruzalem nuk mblidhen aq shpesh turma kaq të mëdha të krishterësh. Por gjithsesi
françeskanët e prekën fare pak pamjen e këtij vendi shenjt, me dëshirën që të jetë
sa më i natyrshëm, sa më pranë pejzazhit të dy Besëlidhjeve. Puna më e rëndësishme
ishte ndërtimi i tribunës, ku Benedikti XVI do të bashkëkremtojë Meshën me më se njëqind
meshtarë, realizuar nga një shoqatë e specializuar izraeliteDuke ndjekur këtë intinerar,
Papa do të mund të admirojë muret e Qytetit Shenjt, duke shkelur drejtpërdrejt mbi
gjurmët e Krishtit! Ngjarje e jashtëzakonshme!