2009-05-11 18:39:47

Instituti papnor “Zoja e Qendrës së Jeruzalemit”


(11.09.2009 RV)Etërit francezë augustinianë të të Ngjiturit të Zojës në Qiell (asuncionistë) filluan në vitin 1884 ndërtimin e Qendrës “Zoja e Bekuar e Francës”, që të ndihmonin shtegtarët francezë në Tokën Shenjte. Terreni prej 4 mijë metrash katrore u pat blerë nga konti i Pielasë dhe dhurimet e paratë e besimtarëve e të shtegtarëve bënë të mundur që të ndërtohej një strehë për ta në vitin 1888. Gjatë Kongresit Eukaristik Botëror të Jeruzalemit (1893) u vendos guri i parë i kapelës dhe ndërtesa përfundoi në vitin 1904. Gjatë konfliktit të parë arabo-izraelit, në vitin 1948, ndërtesa u dëmtua seriozisht nga shpërthimi i dy minave dhe u bë pikë vëzhgimi izraelite në linjën “no man’s land”; ana e kundërt dhe shtëpitë e oborrit u kthyen në strehë për izraelitët pa shtëpi. Shtegtarët ishin të paktë e për të përballuar shpenzimet, asuncionistët shitën pronën. Në vitin 1973, Papa Pali VI vendosi shndërrimin në Qendër Ndërkombëtare të Selisë së Shenjtë në favor të shtegtarëve, duke e zgjeruar edhe me seksione për promovimin kulturor dhe profesional. Gjon Pali II e ktheu Qendrën në Institut papnor me emrin “Zoja e Qendrës së Jeruzalemit”, më 13 dhjetor 1978(Statuti u miratua më 2 shkurt 1981). Qendra konsiderohet “vend i shenjtë ekumenik” dhe është prelaturë territoriale, ku prelati është Delegati Apostolik në Jeruzalem dhe në Palestinë. Qendra disponon 144 dhoma, 2 salla për mbledhje dhe një auditorium me 500 vende, ku u mbajt sot takimi me organizatat për dialogun ndërfetar. Administrimi i Institutit, që gëzon të drejta extra-territoriale, i është besuar nga Papa Gjon Pali II Legjionarëve të Krishtit, përmes Motu Proprio “Në Vazhdim” (26 nëntor 2004). Prelati territorial është Nunci apostolik në Izrael, imzot Antonio Franko. I ngarkuari i Selisë së Shenjtë për Qendrën është atë Solana Rivera Huan Maria, i Legjionarëve të Krishtit, i cili është edhe Atashe Kulturor pranë Delegacionit Apostolik në Jeruzalem dhe Palestinë (www.notredamecenter.org).

Instituti i ri “Notre Dame” i Magdalës ka qëllim ta shtrijë misionin e Qendrës së Jeruzalemit edhe në Galile, në pjesën veriore të Izraelit. Projekti do të realizohet në një terren prej 4,3 hektarësh, blerë me ofertat e mijëra besimtarëve, në vendin ku lindi Maria Magdalena, në brigjet e Liqenit të Galilesë. Do të shërbejë si strukturë për pritjen e shtegtarëve dhe si qendër shpirtërore sëbashku me Bazilikën e ardhshme të Shën Maria Magdalenës.








All the contents on this site are copyrighted ©.