2009-05-11 18:36:59

Benedikti XVI në Izrael: vij të lutem për paqen në Tokën Shenjte e në mbarë botën. Kurrë më Shoah!


(11.05.2009 RV)RealAudioMP3 Pas ceremonisë së lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar të Amanit - ajo e mirëseardhjes në aeroportin ndërkombëtar Ben Gurion’ të Tel-Avivit, në Izrael, ku kishin dalë për ta pritur presidenti izraelit, Shimon Peres dhe kryeminstri Benjamin Netanyahu.
Bendikti XVI e nisi sot paradite vizitën në Izrael duke dënuar ashpër Shoah-un dhe duke lartuar një lutje të mirëfilltë për gjetjen e rrugëzgjidhjes së drejtë të konfliktit izraelito-palestinez.
Fjalët e para të Atit të Shenjtë në këto troje, përherë të shqeta, ishin:
“I come, to pray at the holy places to pray…”.
“Vij të lutem në viset e shenjta e do të lutem sidomos për paqen: paqen këtu, në Tokën Shenjtë e paqen në mbarë botën.”
Në fjalimin e tij të parë në Izrael, Benedikti XVI ripohoi edhe një herë qëllimin e shtegtimit të tij.
Selia e Shenjtë dhe Shteti i Izraelit – pohoi Papa – kanë të përbashkëta shumë vlera e, mbi të gjitha, impenjimin për t’i dhënë fesë vendin e saj të ligjshëm në jetën e shoqërisë. Rendi i drejtë i marrëdhënieve shoqërore supozon e kërkon respektimin e lirisë dhe të dinjitetit të çdo njeriu. E kur përmasa fetare e njeriut mohohet ose lihet në harresë, vihet në rrezik vetë themeli i të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.
Më pas Papa u ndal tek problemi i mprehtë i paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve:
“In union with people of good everywhere...”
Së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, i lus ata, të cilët janë të ngarkuar me përgjegjësi, të zbulojnë çdo rrugë të mundshme për t’i zgjidhur drejtë vështirësitë e panumërta, që të dy popujt të jetojnë në paqe e të kenë atdheun e tyre, brenda kufijve të sigurtë e të njohur ndërkombëtarisht”.
Në këto çaste, kur procesi i paqes në zonë rrezikohet nga rivendikimet e ekstremizmat, Benedikti XVI foli për shpresë e u lut të krijohet sa më shpejt atmosfera e besimit, e cila i bën palët të afta për një progres të vërtetë në udhën drejt paqes e stabilitetit.
Duke iu drejtuar presidentit Perez, Papa nënvizoi: “Është e drejtë dhe e arsyeshme që gjatë vizitës sime në Izrael, të kem mundësinë për të nderuar kujtimin e gjashtë milionë hebrenjve, viktima të Shoah e të lutem që njerëzimi të mos jetë kurrë më dëshmitar i një krimi kaq të përbindshëm. Për fat të keq, antisemitismi vijon ta ngrejë kokën e tij të neveritshme në shumë vende të botës. E kjo është krejtësisht e papranueshme. Duhet bërë gjithçka është e mundur për ta luftuar antisemitizmin, kudo që gjindet, e për të promovuar respektin e nderimin ndaj të gjithë njerëzve, pavarësisht nga populli, raca, gjuha e kombi, të cilit i pëkasin, në mbarë botën.
E, duke kujtuar Qytetin e Jeruzalemit, Ati i Shenjtë shprehu besimin se të gjithë shtegtarët e të tri feve të mëdha monoteiste do të kenë mundësi të hyjnë lirisht e pa asnjë pengesë për të marrë pjesë në kremtimet fetare, hyrje që autoritetet izraelite shpesh herë e kufizojnë për arsye sigurie.
Së fundi, një mendim për kishën e vogël vendase, e thirrur të dëshmojë Krishtin, i cili predikoi faljen e pajtimin, të mbrojë shenjtërinë e jetës e të kontribuojë për t’i dhënë fund armiqësive, që i trondisin prej kohe këto troje:
“I pray that your continuing presence in Israel...”
Lutem që prania juaj e vazhdueshme në Izrael e në Territoret Palestineze përfundoi Benedikti XVItë sjellë shumë fryt në promovimin e paqes e të respektit reciprok ndërmjet të gjithë njerëzve, që jetojnë në tokën e Biblës”
Duke u rikthyer në fillimin e ceremonisë së mirëseardhjes në aeroportin ndërkombëtar‘Ben Gurion’ të Tel-Avivit, kujtojmë se për ta pritur Papën, përveç presidentit izraelit, Shimon Perez dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu, kishin dalë edhe të gjithë ipeshkvijtë e Tokës Shenjte. Presidenti Peres, në fjalimin e tij, nënvizoi misionin e rëndësishëm të Papës në mbrojtje të paqes, inkurajoi dialogun hebraiko-kristian, nënvizoi bashkëjetesën, në Izrael, të shumë popujve, që lusin të njëjtin Hyj dhe njoftoi se, pas paqes me Egjiptin e Jordaninë, Izraeli po impenjohet në bisedimet për paqe me Palestinezët. Gazetat shkruajnë se Benedikti XVI vjen në Izrael për një vizitë historike, si njeri i paqes. ‘Jerusalem Post’ flet për vizitë ‘epokale’ e shumë mjete të tjera të komunikimit nënvizojnë se çështja ‘Uiljamson’ tashmë është kapërcyer. I veçantë një nga titujt e së përditshmes ‘Haaretz’, që flet për një mision të mundshëm, për misionin e paqes, që përbën sfondin e këtij shtegtimi papnor.







All the contents on this site are copyrighted ©.