Papa në Betani përtej Jordanit bekon gurët e parë për dy kisha katolike
(10.05.2009 RV)“Vij me gëzim të madh në shpirt për të bekuar gurët e parë
të dy kishave katolike që do të ndërtohen përtej lumit Jordan, një vend i shënuar
nga shumë ngjarje të historisë biblike”: me këto fjalë iu drejtua Papa besimtarëve
dhe autoriteteve të pranishme sot pasdite në Betani përtej Jordanit, ku janë hapur
kantieret për ndërtimin e dy kishave, të ritit latin e të ritit greko-melkit. Para
se të ndalej, Benedikti XVI përshkoi krejt itinerarin arkeologjik të quajtur “Baptism
site” (Vendi i Pagëzimit). Betania përtej Jordanit, siç e shpjegoi vetë Ati i
Shenjtë më pas, është vendi i profetit Elia. Pikërisht para Jerikos, afër me zonën
ku ndodhej sot Papa, ujërat e Jordanit u hapën para Elisë, i cili u mor nga Zoti me
karrocë zjarri. Këtu, Shpirti i Hyjit thirri Gjonin, birin e Zakarisë, për të predikuar
kthimin në rrugën e Zotit. Shën Gjon Ungjilltari tregon se në këtë vend është takuar
Jezusi me Shën Gjon Pagëzuesin. Këtu Jezusi, përmes Pagëzimit në lumin Jordan, u quajt
Bir i dashur i Atit dhe Shpirti i Shenjtë i zbriti mbi krye në formën e një pëllumbi.
Ndërtimi i kishave në këtë vend, merr prandaj një kuptim të veçantë: “Guri
i parë i një kishe është simbol i Krishtit. Kisha mbështetet mbi Krishtin, mbahet
prej Tij e nuk mund të ndahet prej Tij. Ai është baza e vetme për çdo bashkësi të
krishterë, guri i gjallë, i hedhur nga ndërtuesit, por i çmuar në sytë e Zotit e,
prej Hyjit, i zgjedhur si gur i këndit. Me Të, edhe ne jemi gurë të gjallë vënë një
mbi një si ndërtesa shpirtërore, vend banese për Hyjin”. Me ngritjen e këtyre
dy kishave në Betani përtej Jordanit, Kisha Katolike dëshiron të tregojë vendosmërinë
për të qëndruar në Tokën Shenjte e për ta vazhduar misionin e saj, në një çast kur
konfliktet e kushtet e jetesës i detyrojnë të krishterët të emigrojnë. Kisha, tha
Papa, është në Krishtin një bashkësi jete të re, një realitet dinamik hiri që vjen
prej Tij. Përmes Kishës, Krishti pastron zemrat, shndrit mendjet, na bashkon me Atin
e na udhëheq ta jetojmë dashurinë e krishterë. E në Kishë, vazhdoi Ati i Shenjtë duke
iu referuar vendit ku u pagëzua Jezusi, hyjmë përmes Pagëzimit: “Lumi Jordan
ju kujtoftë gjithnjë se jeni larë me ujin e Pagëzimit e jeni bërë anëtarë të familjes
së Jezusit. Jeta juaj, duke iu bindur fjalës së Tij, është shndërruar sipas shembëlltyrës
e ngjashmërisë me Të. Në përpjekjen për t’i qëndruar besnikë impenjimit të Pagëzimit
për t’u kthyer në rrugën e Zotit, për ta dëshmuar e për të kryer misionin e krishterë,
ta dini se përforcoheni nga dhurata e Shpirtit Shenjt”. Benedikti XVI kujtoi
se për shekuj me radhë njerëzit kanë ardhur si shtegtarë në këtë vend, për t’u pagëzuar
e për të ndërruar mënyrën e jetesës. Përmendi shtegtaren Egjeri, të mirënjohur në
këto anë, e pikërisht për të kryer sa më mirë impenjimet, që të krishterët marrin
me Pagëzimin, për t’u sjellë sipas “agapes” apo dashurisë së krishterë, Papa këshilloi: “Nxisni
dialogun e mirëkuptimin në shoqërinë civile, sidomos kur kërkoni të drejtat tuaja
të ligjshme. Në Lindjen e Mesme, të shënuar nga vuajtja tragjike, nga vite dhune e
çështje të pazgjidhura, të krishterët janë të thirrur të japin kontributin e tyre
për pajtimin e paqen me anë të faljes e bujarisë, të frymëzuar nga shembulli i Jezusit”. Bekimi
i gurëve të kishave katolike, njëra e ritit latin e tjetra e ritit greko-melkit, u
parapri nga Formula e Pagëzimit dhe nga Atyna në arabisht.