2009-05-10 16:35:43

Në Meshën e Amanit, Papa inkurajon të krishterët e, posaçërisht, gratë e Tokës Shenjte.


(10.04.2009 RV)Përfundoi sot dita III e shtegtimit të Benediktit XVI në Jordani. Paradite Papa kremtoi Meshën Shenjte në Stadiumin ndërkombëtar të Amanit, në praninë e më se 30 mijë vetëve, ndërmjet të cilëve, të gjithë ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme e një numër i madh besimtarësh të krishterë, ardhur nga të katër anët e Viseve Shenjte. Këtyre njerëzve, të lidhur fort me trojet e të parëve, Papa u drejtoi fjalë inkurajuese, duke uruar që guximi i Krishtit, Bariut tonë, t’i frymëzojë çdo ditë në përpjekjet e tyre për të dhënë dëshminë e fesë së krishterë e për ta ruajtur praninë e Kishës gjatë ndryshimeve që pësojnë çdo ditë këto troje të lashta.
Për hollësirat, të ndjekim shërbimin e të dërguarit të Radio Vatikanit, Pietro Koko, nga Amani:
 
"Ishte Festë e madhe sot në Aman për Meshën e kremtuar nga Benedikti XVI në stadiumin e qytetit. 30 mijë vetë mundën të gjejnë vend brenda strukturës sportive e të luten me Papën në këtë të dielë, Ditë e Zotit. Ishte rast edhe për t’i shprehur gjithë gëzimin e mirënjohjen për praninë e tij e për inkurajimin e tij. “U luta – tha Ati i Shenjtë – që Kisha në këto troje të përforcohet në shpresë e të marrë fuqi për dëshminë e saj nga Krishti i Ngjallur, Shëlbuesi i njerëzimit:
"I have long awaited this opportunity to stand before...
E prita gjatë mundësinë për të qenë para jush, si dëshmitar i Shëlbuesit të ngjallur, për t’ju inkurajuar të mos hiqni dorë nga feja, shpresa e dashuria, duke i qëndruar besnikë traditave të lashta e historisë tejet të veçantë të dëshmisë së krishterë, që ju lidh me kohën e Apostujve. Sepse e di që bashkësia katolike e këtushme është thellësisht e prekur nga vështirësitë e paqartësitë që kanë të bëjnë me të gjithë banorët e Lindjes së Mesme”.
Pikërisht për këto vështirësi foli, në fillim të kremtimit, Patriku Latin i Jeruzalemit, Fortlumturia e Tij, Fuad Tual, në përshëndetjen drejtuar Papës në emër të të gjithë jordanezëve, duke u bërë zëdhënës i të krishterëve e i myslimanëve, i asambleve të ipeshkvijve e të patrikëve të Tokës Shenjte dhe i të gjithë besimtarëve, ardhur nga vendet arabe fqinje.
“Kemi dëshirë të zjarrtë ta përjetoni mikpritjen tonë arabo-jordaneze - pohoi Patriku e më pas, duke bërë shaka për seminaristët e Tokës Shenjte, tha se ndodhet para një problemi të vështirë, sepse seminari i Beit-Jala, për herë të parë, është tepër plot. Patriku Tual kujtoi edhe mijëra emigrantët, ardhur në Jordani, posaçërisht për punë, nga e gjithë Azia, si dhe miliona refugjatët, pjesa më e madhe palestinezë, të strehuar në këtë vend. E këtyre u shtohen edhe rreth një milion irakianë, ndërmjet të cilëve, 40 mijë të krishterë. Janë Kisha, së bashku me Karitasin, që u sigurojnë ndihmën e nevojshme materiale e shpirtërore. Një realitet që Papa e njeh mirë e nga i cili mori shtytjen për t’i drejtuar një thirrje të fuqishme Kishës në Jordani:
"Fidelity to your Christian roots, fidelity to the Church’s mission...
“Besnikëria ndaj rrënjëve tuaja të krishtera, besnikëria ndaj misionit të Kishës në Tokën Shenjte, kërkojnë nga ju një tip të veçantë guximi: guximin e bindjes së lindur nga feja personale, jo thjeshtë nga normat shoqërore ose nga traditat familjare; guximin për t’u impenjuar në dialog e për të punuar krah për krah me të krishterët e tjerë, në shërbim të Ungjillit e në frymën e solidaritetit për të varfërin, të shpërngulurin, për të gjitha viktimat e tragjedive të thella njerëzore; guximin të ndërtoni ura të reja, për ta bërë të mundur takimin e frytshëm të njerëzve me fe e kultura të ndryshme, duke pasuruar kështu, indin e shoqërisë”.
Kjo – vijoi Ati i Shenjtë - do të thotë të japësh dëshminë e dashurisë, e cila na frymëzon të flijojmë edhe jetën në shërbim të të tjerëve, duke iu kundërvënë kështu mënyrave të mendimit, që përligjin shkatërrimin e jetëve të pafajshme.
E temës së dashurisë, me të cilën na deshi Zoti, Benedikti XVI i kushtoi pjesën tjetër të homelisë, gjatë së cilës foli për thirrjen e familjes si dhe për dinjitetin e misionin e grave në planin e Hyjit. Pikërisht gratë Papa i kujtoi në mënyrë të veçantë, duke theksuar kontributin e tyre në mbrojtjen e fesë e të dashurisë në këto vise. Një numër i madh nënash të krishtera, rregulltaresh, mësuesesh e infermieresh – tha Papa - në mënyra të ndryshme, shkrinë gjithë jetën e tyre për paqen e dashurinë:
"Sadly, this God-given dignity and role of women has not always...
Për fat të keq, ky dinjitet e ky mision, që Hyji u dhuroi grave, nuk u kuptuan e nuk u vlerësuan gjithnjë aq sa duhet. Kisha e shoqëria, në tërësinë e saj, kanë arritur ta kuptojnë tashmë sa nevojë urgjente kemi për atë, që paraardhësi im, Papa Gjon Pali II, e quante ‘karizëm profetike’ të grave (cfr Mulieris dignitatem, 29)”.
Karizëm kjo, që shprehet në aftësinë e grave për të dashur, për të qenë mësuese të mëshirës e ndërtimtare të paqes, transmetuese të ngrohtësisë e të humanitetit, në një botë e cila shumë shpesh e gjykon vlerën e njeriut me kriteret e akullta të shfrytëzimit e të përfitimit. Duke e dëshmuar publikisht respektin për gratë e për mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu – përfundoi Papa – Kisha në Tokën Shenjte jep një ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e një kulture vërtetë njerëzore e për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë".

Pas Meshës, Ati i Shenjtë shkoi në Vikariatin latin të Amanit ku drekoi me patrikët, ipeshkvijtë dhe me grupin që e shoqëron.
Pasdite, transferimi në Bethany beyond mbi lumin Jordan, për bekimin e gurëve të parë të Kishës së latinëve dhe të asaj të greko-melkitëve, në vendin ku, sipas traditës, është pagëzuar Krishti.

Nesër paradite, më 11 maj, Papa do të niset nga Amani për në Izrael. Ju ftojmë të ndjekim së bashku ceremoninë e mirëseardhjes në aeroportin ndërkombëtar të Tel-Avivit, paradite- ndërsa pasdite, vizitën e mirësjelljeje presidentit izraelit në Pallatin presidencial të Jeruzalemit dhe atë në në Memorialin e Jad Vashemit .







All the contents on this site are copyrighted ©.