(10.05.2009 RV)Zona e “Betanisë përtej Jordanit” ishte qëndra e veprimtarisë
së Gjon Pagëzuesit dhe skena e jetës publike të Jezusit. Këtu Gjon Pagëzuesi nisi
t’i ftonte njerëzit të bënin pendesë, sepse mbretëria e qiejve nuk ishte larg. Këtu
kujtoi profecinë e Izaisë profet: “Do të dëgjohet një zë, që do të
bërtasë në shkretëtirë: Përgatitjani rrugën Zotit; drejtoni
shtigjet e tija; luginat do të mbushen; e malet e kodrat do
të rrafshohen; e rrugët e shtrembëra do të bëhen të drejta; e
shtigjet e thyeshme - të sheshta; e njerëzimi mbarë do ta shohë shëlbimin
që vjen prej Perëndisë”. Gjoni endej në këto vise i veshur me gozhup deveje
e me një brez lëkure në përmjet; ushqimi i tij ishin karkalecat e mjalti i bletëve
të egra. E tek ai ngarendnin njerëz nga Jeruzalemi, nga gjithë Judeja e nga viset
e bregut të Jordanite, duke rrëfyer mëkatet, pagëzoheshin prej tij në
Jordan. E ai pohonte: “Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë të pendesës suaj;
por ai, i cili do të vijë mbas meje, është më i fuqishëm se unë, e unë s’jam i denjë
as t’ia zbath sandalet; ai do t’ju pagëzojë në Shpirtin Shenjt e në zjarr.Ai
ka ndër duar tërplotën e drithit, do ta pastrojë lëmin e do ta mbledhë grurin në hambarë,
por bykun do ta djegë në një zjarr të pashueshëm”. Këto vise, me emrin Betani,
ku predikoi Shën Gjoni e ku pagëzoi Krishtin, sot janë ende të varrosura e pozicioni
i tyre nuk është i përcaktuar plotësisht. Ka shumë mundësi të ndodhen rreth 200 metra
në lindje të kodrës së Elisë Profet, ku nuk kanë filluar akoma gërmimet arkeologjike.
Zona njihet me emrin Wadi Al-Kharrar’ (Lugina melodioze), për shkak të një melodie
të lehtë, jashtëzakonisht të këndshme, e cila përhapet nga ujërat e Jordanit, që patën
fatin të preknin korpin e Krishit. Zona është 350 metra nën nivelin e Mesdheut,
pak kilometra larg nga pika, ku lumi zgjërohet e derdhet në ‘Detin e Vdekur’; ‘Deti
i Kripur’ i Besëlidhjes së Vjetër (Dt 3,17; Joz 3,16; Nr 34,12) e ‘Deti i Lotit’ i
dorëshkrimeve arabe. Këtu ndodhet edhe qendra arkeologjike, që njihet si ‘Baptism
Site”, pranë së cilës është ngritur edhe kantieri për ndërtimin e Kishës së latinëve.
E pikërisht këtu Benedikti XVI bekoi sot gurët e parë të Kishave të latinëve e të
greko-melkitëve: ugur për të ardhmen e krishterimit në viset e Krishtit.