2009-05-09 16:55:12

Qyteti Madabà


(09.04.2009 Qendër, e banuar që prej 4500 vjetësh e që kujtohet në Bibël si qytet moabit me emrin Medeba (Nm 21,30; Gs 13-9, 16). Në vitin 106 qyteti përfshihet në provincën romake të Arabisë. Nis një zhvillim i vrullshëm. Ngrihen ndërtesa madhështore publike e rrugë të gjëra. Gjatë shek. I, krishterimi përhapet me shpejtësi në të gjithë Arabinë, por besimtarët persekutohen e shumë prej tyre humbasin edhe jetën gjatë persekutimit të Dioklecianit. Pas kthimit të Kostandinit e posaçërisht në shekullin V e më tej, Madabà ka një ipeshkëv e, në epokën bizantine (shek VI-VII), këtu ndërtohet një numër i madh kishash.
Ky vend është i famshëm për gjetjen e ‘Hartës së Madabasë’, me rastin e rindërtimit të Kishës greko-ortodokse të Shën Gjergjit (1896). Është fjala për mozaikun, në të cilin paraqitet harta e gjithë Tokës Shenjte, rruga që duhet përshkuar për të arritur në Jeruzalem përmes pesë zonave të ndryshme, e edhe vetë Qyteti Shenjt, me të gjitha hollësitë: me muret rrethuese, Portën e Damaskut, Portën e Shtyllës, Portën e Rrumbullt, Bazilikën e Varrit të Shenjtë e Bazilikën e “Sionit Shenjt’, me të cilën lidhet Çenakulli.
Madabà, qytet ku ka lindur Patriku i Jeruzalemit për Latinët, Fortlumturia e Tij, Fuad Tual, sot zë vendin e pestë ndërmjet qyteteve të mëdha të Jordanisë, si për numrin e popullsisë, ashtu edhe të shtegtarëve, që e vizitojnë çdo vit.







All the contents on this site are copyrighted ©.