(09.05.2009 RV)1. Bekoje Zotin, o shpirti em, Zot, Perendia em, sa i madh
je ti! I veshun me madhní e me shkëlqim,
2. si një mantel ty drita
të pështjellë, e qiellën shtrinë, si të ishte çadër.
3. Banesën
tande e ngrehe përmbi ujna, karrocën prej rêve e bân; e ecë përmbi krahët
e stuhisë; 4. ti bân që erët të jenë lajmëtaret tua, e flakët
e vetimave, shërbëtorët tú.
5. Përmbi themele të veta tokën e ke pështetë, s’ka
për t’u luhatë në shekuj të shekujve.
6. E pështillte oqeani, porsi
petku trupin, e deri malet i mbulojshin ujnat.
7.
Por në brimën tande ato morën ikën, trembë prej ushtimës së bumbullimës sate.
8.
Malet u ngritën nalt, kodrat u ulën ndër vende që ti u kishe caktue. 9.
Kufij u vûne të mos mujshin me i kalue, që ma mos të kthejshin tokën me e përmbytë. 10. Ti bân të shpërthejnë gurrat ndër lugina, e të rrjedhin ndërmjet
maleve porsi përroje.
11. Tanë egërsinat atje ulen me pí, të shkrumbueme
zebrat etjen atje e shuejnë.
12. Nalt banojnë zogjt e ajrit, këndojnë
në blerime të landëve.
13. Prej banesave tua të larta, ti ujitë malet, me
fryte të duerve tua, ti tokën e nginë.
14. Bân, o Zot, të rritet sana
për gjedhet e tokës, e bari në livadhe, për dobí të njeriut; e ky prej arave
të xjerrë bukën e gojës,
15. e venën, që njeriut zemrën ia kënaqë,
e vojin, që fëtyrën ia shndritë, e bukën, që shtatin ia rritë.
16.
Ngihen me ujë plot landët e Zotit, kedrat e Libanit që dora e tij i mbolli.
17.
Në gjethime të tyne zogjt çerdhen e ndërtojnë, ndërsá lejleku ngrehë shtëpinë
përmbi selví.
18. Malet e nalta janë për dhitë e egra, në zgavrra
shkambijsh lepujt strehimin gjejnë.
19. Me shenjue stinët ti hanën e
krijove, e dielli mirë e di’ kur duhet me përendue.
20. Kurçon
mbi tokë terrin e për né erret nata, atëherë shtazët e pyllës nisin me qitë krye.
21.
Hungrojnë luâjtë e turren në kërkim të presë, e Zotit ushqimin ata ia kërkojnë.
22.
Por dielli lén përsërí, e ata tërhiqen, struken ndër strofuj të vet për me
pushue.
23. Njeriu del shtëpijet e shkon për me punue, nisë punën
e punon deri sa të erret nata. 24. Sa të shumta janë, o Zot,
veprat tua! Gjithçkahen me dije e ke krijue. Toka asht plot me kreatyrë tua.
25.
Shih, deti shtrihet i gjanë e i hapët: Në tê lodrojnë frymorë të panumër, të
vogjël e të mëdhaj.
26. Në tê shkojnë e vijnë anijet, lëvizë
në tê balena që ti plazmue e ke në tallaze me u argëtue.
27. Të gjithë
prej tejet presin, t’u apësh në kohë të duhun ushqimin.
28. Ti ua
kujdeson, ata e mbledhin, ti hapë dorën, ata me të mira ngîhen.
29.
Po e mshehe fëtyrën tande, ato trishtohen, frymën ua hjek, e ato lëmeken, e
kthejnë në pluhun të parë.
30. Dërgon shpirtin tand, e rishtas krijohen, e
faqen e tokës ti prap e përtrinë.
31. Lumnia e Zotit kjoftë përgjithmonë; gëzoftë
Zoti për vepra dalë prej tij.
32. Tokën shikjon,
ajo prej friget dridhet, malet i prekë, flakë edhe shkëndija qesin.
33.
Due me i këndue Zotit derisá të kemë jetë, derisá të kemë frymë me i këndue
due Hyut tem.
34. Atij kanga eme i pëlqeftë përherë: Gëzimi em asht
në Zotin!
35. Prej faqes së dheut u zhdukshin tanë
mëkatnorët, as kamba bâkeqit mos i shkeltë mbí dhé. Bekoje Zotin, o shpirti
em! Aleluja!