2009-05-09 16:16:13

Nga Libri i Deuteronomit: Kreu 34


(09.05.2009 RV) Në ato dit Mojzehi, prej stepet të Moabit, u ngjit mbi malin Nebo, maje kjo e Pisgës që asht përballë Jerikut.
Zoti ia kallëxoi tanë vendin: prej Galaadit deri në Dan, tanë Neftalin, vendet e Efraimit e të Manasses, mbarë krahinën e Judës deri në Detin Mjesdhé e në Negeb, ngushticën e luginës së Jerikut, qytetit të hurmave, deri në Zoar.
Zoti i tha: “Ky asht vendi për të cilin i jam përbetue Abramit, Izakut e Jakobit: unë kam me ua dhanë mbasardhësave tú.
Të bâna ta shohësh me sy tú, por ti s’ke me hy në tê!”.
Mojzehi, shërbëtori i Zotit, diq më atë vend, në dhenë e Moabit, simbas urdhnit të Zotit. Kje vorrue në luginë, në dhenë e Moabit, përballë Bet-Peorit; kurrkush deri më sot s’ e din se ku asht vorri i tij.
Mojzehi kishte njëqind e njëzet vjet kur diq; sytë nuk i ishin terratisë e të kërthnestit nuk i ishte ligështue. Izraelitët e vajtuen në stepën e Moabit për tridhetë dit rresht; mbrapa u kryen ditët e vajit për zinë e Mojzehit.
Jozuehi, i biri i Nunit, ishte plot me frymën e urtisë, përsè Mojzehi i kishte pushue duert mbi krye të tij; izraelitët i ndigjuen e bânë çka Zoti i kishte urdhnue Mojzehit.
Në Izrael s’ka lé ma një profetë si Mojzehi, - ai me të cilin Zoti folte fëtyrë për fëtyrë - për të gjitha ato shenje e mrekullí, të cilat Zoti ia kishte ngarkue t’i bânte në dhé të Egjiptit kundra faraonit, kundra ministrave të tij e kundra tanë vendit të tij e për dorën e tij të fuqishme e tmerën e madhe me të cilën Mojzehi kishte veprue para syve të gjithë Izraelit.

Nga ‘Bibla’, përkthye prej Atë Daniel Gjeçajt OFM
 







All the contents on this site are copyrighted ©.