2009-05-09 16:18:07

Mali Nebo


(09.05.2009 RV)Mali Nebo, 806 metra mbi nivelin e detit, lartohet mbi sheshinën transjordanike, 25 kilometra në jugperëndim të Amanit. Ka mundësi që në lashtësi të ketë qenë i lidhur me kultin e hyjnisë babiloneze Nebu. Me rëndësi historike dy majat, Sijaga (shpatet perëndimore) e Mukajat (juglindje). Në brinjat e malit derdhen shumë përrenj, ndërmjet të cilëve, Ujun Musà (Burimet e Moisiut), Ajn Kanisah (Burimi i Kishës) etj. Majat, të rrahura nga era, i hapin syrit të udhëtarit një panoramë të pashoqe të Tokës Shenjte e të Jordanisë jugore: në jug mund të soditen Deti i Vdekur e Shkretëtira e Judesë; në lindje, Lugina e Jordanit, Malet e Judesë e të Samarisë; në veri, Jebel Oshà (Mali Osha) e Vadi Zerka (Lugina e kaltërt). Në sfondin e kodrinave që rrethojnë Amanin, kur horizonti është i kthjellët, mund të shihen edhe Betlehemi, fortesa e Herodit, Lugina e Jordanit, Deti i Vdekur, Oaza e Jerikos, kupolat e Jeruzalemit e, natën, dritat e Qytetit Shenjt. Sipas traditës, është vendi prej nga Zoti i tregoi Moisiut Tokën e premtuar, në përfundim të provës në shkretëtirë, 40 vjet pas Daljes nga Egjipti.
Memoriali i Moisiut mbi Malin Nebo u ndërtua nga të krishterët e zonës së Madabasë për të kujtuar faqen e famshme të Biblës (Kapitulli 34 i Deuterenomit) në të cilën tregohet fundi i jetës së Moisiut, Profet e Njeri i Zotit. Nga maja e këtij ballkoni natyror, Moisiu e pa nga larg, me fe e shpresë, Tokën e premtuar.
Mijëra shtegtarë, që kanë shkelur mbi majën e Malit Nebo, kanë provuar se ky është vend që shëron shpirtin e korpin, vend strehimi për të gjithë ata që vuajnë e kërkojnë paqe.







All the contents on this site are copyrighted ©.