2009-05-08 18:22:41

Papa në Qendrën “Regina Pacis” në Aman: vij të lutem për paqen e bashkimin


(08.05.2009 RV)RealAudioMP3 Qëllimin e vizitës në Tokën Shenjte, e shpjegoi Papa Benedikti XVI gjatë vizitës në qendrën “Regina Pacis” në Aman, për të sëmurët me të meta fizike. Papa u takua sot pasdite në kishën e Qendrës me rreth 600 përfaqësues të të rinjve e të veprimtarëve të saj, të cilëve u dhuroi një tabernakull:
“Unë vij thjesht me një qëllim, me një shpresë – u tha Ati i Shenjtë atyre – të lutem për dhuratën e çmuar të bashkimit e të paqes, sidomos në Lindjen e Mesme. Paqe për individët, për prindërit e fëmijët, për bashkësitë, paqe për Jeruzalemin, për Tokën Shenjte, për rajonin, paqe për krejt familjen njerëzore; paqe e qëndrueshme, që lind nga drejtësia, nga integriteti e mirëkuptimi, paqe që vjen nga përvujtëria, nga falja e nga dëshira e thellë për të jetuar në harmoni si një realitet i vetëm”.
Por si mund të arrihet kjo paqe, në situatën e sotme të Tokës Shenjte, ku armëpushimi është gjithnjë i përkohshëm e ku problemet për t’u zgjidhur mbeten gjithnjë të mëdha e duken të pakapërcyeshme? Papa iu referua përvojës së të sëmurëve të pranishëm në Qendër, të cilët e pritën me brohoritje e këngë, që e mbushën me hare vendin dhe e bënë atmosferën veçanërisht entuziaste. Falenderoi motrat komboniane dhe personelin laik që punon aty, e në përpjekjen për gjetjen e rrugës së paqes, foli për rrugët që i kanë sjellë të sëmurët në Qendrën “Regina Pacis” të Amanit, themeluar nga Patriku latin i Jeruzalemit, Fuad Tual:
“Disa prej jush luftojnë me guxim me forma invaliditeti, të tjerë kanë duruar refuzimin, e disa prej jush janë tërhequr nga ky vend paqeje thjesht për të kërkuar inkurajim e mbështetje”
E di mirë, vazhdoi Papa, se Qendra lufton për t’i dhënë vendin e merituar invalidëve në shoqëri. Nganjëherë, është e vështirë të gjejmë arësyen për sprovat fizike apo emotive, që duhet të kapërcejmë. Por feja e arësyeja na ndihmojnë të shohim një horizont përtej vetvetes, për ta imagjinuar jetën, ashtu si e do Zoti. Kjo është forca e të krishterit, që përmes vuajtjes, gjen shëlbimin, theksoi Benedikti XVI, e kjo është edhe rruga jo e lehtë drejt paqes. Është rrugë që nuk jep rezultate të menjëhershme, por dalëngadalë e ndryshon njeriun në thellësi dhe e bën të kuptojë se sa mundësi të mrekullueshme hapen para tij, kur zemra pranon të vërtetën e Zotit e planin e tij për secilin e për botën mbarë:
“Përvoja juaj e dhimbjes, dëshmia juaj në favor të përdëllimit e mëshirës, vendosmëria juaj për të kapërcyer pengesat që hasni, më inkurajojnë të besoj se vuajtja mund të na ndryshojë për mirë. Në sprovat tona personale e duke qëndruar pranë të tjerëve në vuajtje, kuptojmë thelbin e humanitetit tonë, bëhemi, si të thuash, më njerëzorë. E fillojmë të kuptojmë se, në një plan tjetër, edhe zemrat e ngurtësuara nga cinizmi, apo nga padrejtësia, edhe zemrat që e kanë vështirë të falin nuk janë kurrë larg rrezes së veprimit të Hyjit e mund të hapen gjithnjë për një ekzistencë të re, për paqen”.
Paqja pra, theksoi Benedikti XVI, është veprimtari e përditshme, që duhet shoqëruar me lutje. Lutja është shpresa në veprim. E Papa iu drejtua të sëmurëve e veprimtarëve të Qendrës “Regina Pacis” me fjalët:
“Ju kërkoj të gjithëve të luteni çdo ditë për botën… Lutuni për mua çdo ditë të shtegtimit tim; për ripërtëritjen time shpirtërore e për kthimin e zemrave që të falin e të solidarizohen siç thotë Zoti, me qëllim që shpresa ime – shpresa jonë – për bashkimin e paqen në botë të sjellë fryte të begata”.
Benedikti XVI përsëriti sot për një çast në Aman, gjestin e vënies së shallit të palestinezëve, apo kefiah, të cilin e bëri edhe tri javë më parë gjatë Audiencës së përgjithshme në Romë. Shalli iu lidh në qafë nga një djalë invalid i Qendrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.