2009-05-08 18:23:27

Papa takohet me Mbretin dhe Mbretëreshën e Jordanisë.


(08.05.2009 RV)RealAudioMP3 Pasdite, në orën 17.40 me orën vendase, 16.40 me atë evropiane, Benedikti XVI i bëri një vizitë mirësjelljeje Lartmadhërive të tyre, Mbretit e Mbretëreshës së Jordanisë. Papa u prit te porta e pallatit nga vetë Mbreti Abdallah, i cili e shoqëroi në studion, ku u mbajt takimi privat. Ndërkaq, në një nga sallonet aty pranë, grupi që shoqëron Atin e Shenjtë u takua me dinjitarët më të lartë të Shtëpisë Mbretërore e me përfaqësues të qeverisë. Në përfundim të takimit privat - fotografitë zyrtare dhe shkëmbimi i dhuratave. Dhurata e Papës ishte ‘Stampa Civitas’ – Harta e re e Qytetit të Vatikanit, gravurë origjinale e gdhendur me daltë sipas idesë e vizatimit të Pierluigji Izola-s, skalitur nga Patricio di Shulo e Gjuzepe Greko, stampuar me dorë nga Antonio Sanino.
Mbreti i Jordanisë, Lartmadhëria e Tij, Abdallah II Bin Al-Hussein, djali i parë i Mbretit Hussein dhe i gruas së tij të dytë, Princeshës Muna (Antoinette Gardner), lindi në Aman më 30 janar 1962. Studioi në Akademinë Ushtarake Britanike të Sandhurst, në Oksford dhe në Georgetown në SHBA. Gjeneral divizioni në Ushtri, Komandat i Njësive speciale kundër terrorizmit, zuri në fron vendin e të jatit, pak ditë para vdekjes së tij. Sovran që nga 7 shkurti 1999, është pritur në audiencë nga Gjon Pali II më 18 shtator 1999 në Kastel Gandolfo. Është i martuar me mbretëreshën Rania (Al-Yassin) me të cilën ka katër fëmijë. Mbreti Abdallah është pasardhësi i 43-të i drejtpërdrejtë i Profetit Muhamed, në vijë mashkullore, që nis me nipin e Profetit Al-Hasan, sepse vetë Profeti nuk pati djalë. Dinastia hashemite ka qeverisur në Mekë që nga viti 1201, deri në vitin 1925. I nderuari Hussein Bin Ali (stërgjysh i Mbretit Abdallah), Emir i Mekës e mbret i Hegjiazit, udhëhoqi revoltën e madhe arabe të vitit 1916 kundër pushtimit otoman, që përfundoi me çlirimin dhe me krijimin e shteteve të Hegjiazit, Sirisë, Irakut e Transjordanisë. Djali i dytë i mbretit Hussein, Abdallah, themeloi emiratin e Transjordanisë më 11 prill të vitit 1921. Emirati, pasi fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe më 22 mars 1946, që nga kjo datë quhet Mbretëria hashemite e Jordanisë. Mbreti Hussein (që mbretëroi nga 1952 deri më 1999), priti Palin VI gjatë shtegtimit të tij në Tokën Shenjte në vitin 1964 dhe e shoqëroi deri tek portat e Jeruzalemit. U prit disa herë nga Gjon Pali II.
Përfundon kështu dita e parë e shtegtimit të Papës në Jordani. Nesër ju ftojmë ta ndjekim së bashku Atin e Shenjtë në Malin Nebo, në bazilikën e Memorialit të Moisiut; në Madaba, pastaj, ku do të bekojë gurin e parë të Universitetit të patriarkatit, në Muzeun hashemit e në Xhaminë Al-Husein Bin Talal të Amanit, në takimin me krerët fetarë myslimanë, me Trupin diplomatik dhe me Rektorët e universiteteve jordaneze , së fundi, në kremtimin e lutjeve mbrëmësore në katedralen e Shën Gjergjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.