2009-05-07 16:59:27

Benedikti XVI Rojeve Zvicerane: ti shërbesh Papës në Romë do të thotë të bashkëpunosh në misionin e tij universal të ndërtimit të paqes.


(07.5.2009 RV)RealAudioMP3 Dashuria e Krishtit për njerëzimin mund ta bëj botën shtëpi të përbashkët të lidhur me lidhje solidariteti. Kjo është përvoja që e jeton Kisha katolike e kjo është, pohoi Papa, përvoja që mund ta jetojnë Rojet Zvicerane në shërbimin e tyre ndaj Papës e ndaj atyre që e mbështesin misionin universal. Kështu pra, tha mes tjerash Ati i Shenjtë Jozef Racinger duke pritur sot paradite në audiencë në Vatikan, së bashku me familjarët e tyre, 32 rekrutët e ri që dje dhanë betimin.
“Besnikërisht, sinqerisht e ndershmërisht”, këto janë tri cilësi që çdo Roje Zvicerane premton në shërbimin e vet ndaj Papës. Tri cilësi si tre gishtat që një rekrut i Trupit të lashtë papnor i larton përpjetë drejt qiellit, në ditën e betimit të vet në shenjë të Trinisë Shenjte. Por ajo që më tepër ka rëndësi, janë pikërisht “ personat” që i besohen mbrojtjes së Rojeve Zvicerane, që këtë shërbim, që në vete është “mirë i përcaktuar” e bëjnë “universal”.
Kisha bashkon njerëz e gra të kulturave shumë të ndryshme; të gjithë formojnë një bashkësi në të cilën së bashku jetohet e besohet dhe në sendet thelbësore të jetës, ekziston mirëkuptimi i anasjelltë. Kjo përvojë është shumë e rëndësishme, të cilën këtu Kisha dëshiron t’ua dhurojë juve, në mënyrë që ju ta përvetësoni e t’ia komunikoni të tjerëve eksperiencën, se në fenë në Jezu Krishtin dhe në dashurinë e tij për njerëzit, edhe botët kaq të ndryshme, mund të bëhen një gjë e vetme, duke krijuar në këtë mënyrë ura paqeje e solidariteti ndërmjet popujve”.
Duke kaluar nga gjermanishtja në frëngjisht e pastaj në italisht – në tri gjuhët e tri Kantoneve helvetike prej nga vijnë Rojet papnore – Benedikti XVI u ndal me rekrutët e Trupit të Rojeve Zvicerane mbi “tri përmasat” mbi të cilat ndërtohet e zhvillohet puna e tyre: mbrojtja e Pasardhësit të Pjetrit – duke u nisur nga “shtëpia e Papës” – përbrenda Qytetit të Vatikanit e pranë Varreve të Apostujve. Këtu, pohoi Benedikti XVI, “gjendet zemra e Kishës katolike; e aty është zemra dhe qendra, aty është e pranishme edhe bota mbarë”. E duke shikuar Romës, Papa vrejti:
Admirimi jonë nuk shkon vetëm tek dëshmitarët e lashtësisë. Në këtë qytet, në një far kuptimi, vet feja dhe lutja gjatë shumë shekujsh janë bërë gurë e forma. Ky ambient na pranon e na shtyn të marrim si shembuj Shenjtorët e panumërt që këtu kanë jetuar e në saje të të cilëve ne mund të ecim përpara në jetën e fesë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.