2009-05-06 18:23:43

Sot bie përvjetori i vdekjes së don Lekë Matrëngës


(06.5.2009 RV)Si sot, më 6 maj të vitit 1619 u nda nga jeta prifti arbëresh don Lekë Matrënga (1576-1619) në Horë të Arbëreshëve. Ai është autori i vjetër arbëresh që njohim deri më sot. Don Lekë Matrënga u lind në Horë të Arbëreshëve në Sicili, pasi kreu studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Athanasit në Romë, u kthye në Sicilinë e tij të lindjes, ku shërbeu si prift. Në vitin 1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë një katekizëm me titull "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë). Kjo vepër me 28 faqe që ka rëndësi shpirtërore e katekistike për historikun e kishës arbëreshe, kjo vepër përfshin një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar shqip, si dhe vetë katekizmin: një doracak fetar për doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje. Kjo vepër është e rëndësishme edhe për dokumentimin e një faze të vjetër të të folmeve të arbëreshëve të Sicilisë; ajo paraqet interes edhe për vjershën e shkurtër botuar në atë vëllim, dokument i parë e botuar i vjershërimit shqip.
**********

Don Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë (1592)

Don Lekë Matrënga (Luca Matranga, 1567-1619) ka qenë një klerik ortodoks i bashkësisë arbëreshe të Sicilisë. Ai ka lindur ose në Horën e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi, që në atë kohë quhej Piana dei Greci) në jug të Palermos ose në Monreale, pinjoll i një familjeje arbëreshe që kishte emigruar në Sicili, ndoshta nga Peloponezi, rreth viteve 1532-1533. Data e saktë e lindjes nuk dihet11. Për pesë vjet, ka të ngjarë nga 1582 deri më 1587, ai studioi në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë, që kishte qenë themeluar më 1577, dhe pastaj u kthye në Sicilinë e tij të lindjes. Është përmendur në 'Kronikën e të gjithë studentëve të Kolegjit Grek që nga themelimi e deri më 1640', ku shkurt thuhet: "Lekë Matrënga nga Monreale e Sicilisë, me kombësi shqiptare, student i rëndomtë, studioi kulturën e lashtë greke e latine, pastaj u largua për arsye sëmundjeje, pasi kishte kaluar pesë vjet në këtë kolegj". Nga një dëshmi pagëzimi mësojmë se Matrënga u mor me detyra pastorale midis arbëreshëve të Horës së Arbëreshëvet në dhjetor 1601. Dëshmia thotë: "Unë, Don Lekë Matrënga, famullitar në këtë kishë të Shën Gjergjit, pagëzova një foshnjë mashkull më tridhjetë të nëntorit të kaluar, birin e
Antoni dhe Venera Zalapit, dhe emri iu vu Andrea. Kumbar ishte Françesko i të nderuarve Josep dhe Beatriçe Guzeta, kurse kumbare ishte Domenika, e bija e të nderuarve Josep e Beatriçe Guzeta, e shoqja e Joan Muzakës nga kjo krahinë e Pianës12." Për jetën e Matrëngës nuk dihet gjë tjetër. Vdiq si kryeprift më 6 maj 1619.
Lekë Matrënga ka mbetur si autor i një vepre të titulluar E mbsuame e krështerë13, Romë 1592 (Doktrina e Krishterë), një katekizëm prej njëzetetetë faqesh i përkthyer nga një vepër latinisht e priftit jezuit spanjoll Jakob Ledesma (1516-1575). Kopja në dorëshkrim e përkthimit, që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme14, i pari nga të cilat është me sa duket me shkrimin e vetë Matrëngës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Nga data e shënuar në variantin e parë, mësojmë se Matrënga e ka përfunduar përkthimin e tij më 20 mars 1592 në Piana dei Greci. Varianti i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, u shtyp në Romë nga Gulielm Façoti (Guglielmo Facciotto) me lejen e eprorëve' dhe u zbulua nga Mario Roku (Mario Roques)15. Ai është mbështetur në njërin prej varianteve të dorëshkrimit të redaktuar keq dhe përmban shumë gabime. Titulli i plotë i botimit është:
 "Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet
Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae.
Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo
P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesů. Tradotta di lingua Italiana nell'Albanese
per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma"

(Doktrina e krishterë. Bërë nga i urti At Ledesma i Shoqatës së Jesuit. Përkthyer nga
italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matrënga, student i Kolegjit Grek të Romës.)

Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje që përbën
llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë katekizmën, e cila është një udhëzim fetar për doktrinat kishtare në formën e pyetje-përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën kardinalit Ludovico II de Torres, argjipeshkëv i Monreales, Matrënga shpjegon se përkthimi ishte bërë për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmës në qarkullim, duke theksuar se ai do t'u vlente "qindra familjeve në Kalabri e në Pulje" me prejardhje shqiptare.
Ndonëse e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të letërsisë së hershme shqiptare,
vetëm me 28 faqe, Doktrina e Krishterë e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në toskërishte. Të gjithë autorët e tjerë të hershëm shqiptarë, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, kanë shkruar në dialektin e tyre të gegërishtes. Me sa duket, Matrënga në Sicilinë e vendlindjes nuk do ta ketë njohur Mesharin e Buzukut të botuar tridhjeteshtatë vjet më parë. Ai nuk u ndikua fare nga drejtshkrimi i këtij të fundit. U mjaftua me shkronjat e alfabetit latin, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë veriorë në Ballkan përdornin veç tyre edhe disa shkronja cirilike. Matrënga përdori ae për zanoren e pazëshme që tani shkruhet ë, italishten sc(i) për sh dhe ishte i pari që përdori th për frikativen dentale. Shqipja e tij16 ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, jo vetëm sepse greqishtja ishte gjuha e kishës ortodokse, por edhe sepse pikërisht nga Greqia kishin ikur arbëreshët e Sicilisë gjashtëdhjetë vjet më parë. Në atë eksod duhet të kenë marrë pjesë gjyshërit e tij, në mos edhe prindërit. Ky shtresim nga leksiku i greqishtes në dialektet arbëreshe ka ardhur duke u dobësuar ashtu si ka ndodhur me leksikun turqisht në shqipen e Ballkanit, i cili pak nga pak ka dalë jashtë përdorimit. Vepra e Matrëngës përmban një leksik të përgjithshëm prej 450
fjalësh.
Vjersha e parë që i takoi të botohet në gjuhën shqipe, përbëhet nga tetë vargje në
njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer. Ajo përmban një ide prekëse dhe titullohet thjesht ‘'Canzona spirituale' (Këngë e përshpirtshme):

"Cghithaeue u thaerés cux do ndaegliésae,
Tae mirae tae chraextée bura e grŕa,
Mbae fiŕaet tae tinaezňt tae xichi méxae,
Sé sixtae gnerij néx cciae mcŕˇtae scŕa,
Elum cux e cuiton sé cŕa tae vdésae,
E mentae bŕˇxcae mbae taenaezňnae i cŕa,
Sé chrixti ndae parrŕisit i baen piésae,
E baen paer bijr tae tij e paer vaelŕa."

(Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë,
Të mirë të krështee burra e graa,
Mbë fjalët të tinëzot të shihi meshë,
Se s'ishtë njeri nesh që mkatë s'kaa;
E lum kush e kujton se kaa të vdesë,
E mentë bashkë mbë tënëzonë i kaa;
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
E bën për bir të ti e për vëllaa.)


11 La Piana 1912, f. 4, jep vitin 1560, por sot kjo datë merret si tepër e hershme. Shuteriqi 1987, f. 97, ditëlindjen e vendos në vitet 1571-1572. 12 Arkivi i Katedrales në Horën e Arbëreshëve. Regjistri i pagëzimeve, vëll. 3, nr.
835, fletë 85.
13 kr. La Piana 1912, Rrota 1939, Sciambra 1964, dhe F. Sulejmani 1979.
14 kr. Riza 1962, 1965b. Një variant tjetër i dorëshkrimit, i zbuluar nga Skiroi më
1909 dhe i përdorur nga La Piana më 1912, me sa duket është zhdukur.
15 kr. Roques 1932b, f. 19.
16 kr. Ashta 1957, 1965.
Pjesë nga libri: “HISTORI E LETËRSISË SHQIPTARE” ,autor ROBERT ELSIE

Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)”
nga Abdurrahim Myftiu, Botuar, Tiranë (1997)







All the contents on this site are copyrighted ©.