2009-05-06 18:22:16

Në audiencën e përgjithshme, mesazhi i Benediktit XVI drejtuar jordanezëve, izraelitëve e palestinezëve: pres me padurim ardhjen mes jush, duke u lutur për paqe në Tokën Shenjte.


(06.05.2009 RV)“Pres me padurim ditën, kur do të jem mes jush, duke uruar që lutja jonë e impenjimi ynë të sjellin paqen në Tokën Shenjte”. Janë fjalët me të cilat Benedikti XVI përfundoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, dy ditë para fillimit të shtegtimit të tij apostolik në Viset më të shenjta të fesë së krishterë. Gjatë katekizmit, Papa u paraqiti besimtarëve figurën e një teologu të madh, që jetoi në shekullin VIII pas Krishtit, Gjon Damashenin, i cili shkroi disa nga faqet më të rëndësishme kushtuar kultit të ikonave.
Shprehja e padurimit për udhëtimin e afërt, ka qenë në gojën e Benediktit XVI në të gjitha takimet, mbajtur këto ditë, që i paraprijnë nisjes për në Tokën Shenjte. E përsëriti edhe në audiencën e sotme të përgjithshme, duke dashur të ndajë me të gjithë, ndjenjat me të cilat përgatitet për shtegtimin e madh.
“Dua të shfrytëzoj rastin, përmes radios e transmetimit të drejtpëdrejtë televiziv – tha Ati i Shenjtë në mesazhin e tij përfundimtar – për t’i përshëndetur të gjithë popujt e këtyre trojeve:
“I am eagerly looking forward to being with you…
Pres me padurim të jem me ju e të ndaj me ju synimet e shpresat tuaja, por edhe dhimbjen tuaj e luftërat tuaja. Vij mes jush si shtegtar i paqes. Qëllimi im kryesor është të vizitoj viset e shenjtëruara nga jeta e Jezusit e të lutem për dhuratën e paqes e të bashkimit, për familjet tuaja e të gjithë ata, për të cilët Toka Shenjte e Lindja e Mesme përfaqësojnë shtëpinë”.
Nënvizoi edhe hapat vigane që janë bërë në dialogun e në shkëmbimin kulturor me hebrenjtë e myslimanët, me të cilët Benedikti XVI do të takohet gjatë shtegtimit të tij të afërt apostolik. E përfundoi mesazhin me këtë urim, drejtuar në mënyrë të posaçme katolikëve të zonës:
"Ask you to join me in praying that the visit…
Ju kërkoj të bashkoheni me mua në lutje, që vizita të sjellë shumë fryt për jetën shpirtërore e civile të të gjithë atyre, që banojnë në Tokën Shenjte. E uroj që të gjithë ta lavdërojmë Zotin për mirësinë e tij. Të gjithë të jemi njerëz të shpresës. Të gjithë, të vendosur në dëshirën e në përpjekjet tona për paqen!”.
Lindjes së Mesme, e pikërisht Damaskut, i përket edhe Gjon Damasheni, murg e teolog i shekujve të parë të Kishës, që Benedikti XVI e paraqiti si shembull gjatë takimit të sotëm me besimtarët. Edhe ai, si shumë të tjerë, që jetuan në epokën e tij, zgjodhi jetën e manastirit, përpara jetës së oborrit mbretëror. E edhe ai, si shumë anëtarë të tjerë të hjerarkisë, luftoi, në gjysmën e viteve shtatëqind pas Krishtit, kundër ndalimit, me ngjyrime paratestamentare, të besimtarëve për të nderuar ikonat shenjte:
“Gjon Damasheni qe ndër të parët që bëri dallimin ndërmjet adhurimit e nderimit të figurave në kultin publik e privat: mund të adhurohet shpirtërisht vetëm Zoti, ndërsa ikonat mund të përdoren për t’iu drejtuar atij, që paraqitet në vetë figurën”.
Në homelitë e tij kushtuar kësaj çështjeje – shpjegoi Papa – Gjon Damasheni përdor argumente të pasura me përfytyrime mahnitëse. “Nuk adhuroj materien – pohon ndërmjet tjerash teologu i lashtë – por krijuesin e materies”.
A s’është thua materie druri i kryqit, tri herë i lum? .. E boja e shkrimit si dhe vetë libri i shenjtë i Ungjillit, a nuk është materie? Elteri shëlbues, që na jep bukën e jetës, s’është thua materie? … E, para së gjithash, a nuk janë materie korpi e gjaku i Zotit? O duhet të mohosh karakterin e shenjtë të gjithë këtyre sendeve, ose t’i lejosh traditës së Kishës nderimin e figurave që paraqesin Zotin e miqtë e Zotit”.
Në lidhje me këtë ide tejet të rëndësishme – vijoi Benedikti XVI – Gjon Damasheni e shikon edhe nderimin e shenjtorëve, me bindjen se shenjtorët e krishterë, që u bënë pjesëtarë të ringjalljes së Krishtit, nuk mund të konsiderohen thjeshtë si të vdekur. E pastaj – vërejti Papa - vetë misteri i mishërimit është shembulli më i lartë, që na bind se materia, apo lënda, bëhet ‘banesa e Hyjit’. E këtë koncept Benedikti XVI e shprehu edhe një herë me fjalët e Gjon Damashenit:
“E kështu biri i Hyjit, ndonëse gjithnjë në formën e Zotit, uli qiejt e zbriti.. pranë shërbëtorëve të tij… duke bërë më të renë ndërmjet të gjitha gjërave, gjënë e vetme të re nën këtë diell, përmes së cilës shprehu vërtetë pushtetin e pafundmë të Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.