Maji i Zojës: ta themi çdo ditë Rruzaren: ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues.
(06.05.2009 RV)Dihet se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik
i mbarë Kishës. Megjithatë lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet
nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet rreth misterit të Krishtit. Madje cikli i mistereve
të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik. Me kohën liturgjike
të Ardhjes e të Krishlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara
tek Mishërimi. Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë
misteret e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq. Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve,
që po kremtojmë këto javë, pasqyrojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur. Festat
e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë
me dy misteret e fundit. Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi
përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti.
Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë
e tri serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën
e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u
ngjall për lumturinë tonë. Duhet vërejtur edhe se Rruzarja, duke na bërë të përshkojmë
më shpesh ciklin e mistereve të Mishërimit, të Kryqit e të Lumturisë së Zotit, na
ndihmon të perceptojmë unitetin e thellë të misterit të Krishtit, që liturgjia e shpalos
gjatë një viti të tërë. Ta themi, pra, këto ditë të bukura maji Rruzaren, duke
medituar misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë dritë mbi Kishën.