Kardinali Bertone Rojeve Zvicerane: vigjilencë e lutje!
(06.05.2009 RV)Seriozitet, përkushtim, besnikëri, vigjilencë: janë cilësitë
e Rojes Zvicerane, që i kujtoi sot paradite kardinali Tarçizio Bertone në Meshën Shenjte,
kremtuar në bazilikën e Shën Pjetrit, në përkujtim të dy datave kryesore, që e lidhin
Selinë e Shenjtë me Rojen Zvicerane: 22 janarit të vitit 1506, kur 150 burrat e parë
zviceranë u vunë në shërbim të Papës Juli II e sidomos 6 majit 1527, ditës së flijimit
të 147 Rojeve Zvicerane në mbrojtje të Papës e të Vatikanit, viktima të sulmit e të
plaçkitjeve të lancikenekëve. “Acriter et fideliter! – Me guxim e besnikëri!”,
janë fjalët e betimit të Rojeve Zvicerane e kardinali Bertone i kujtoi gjatë Meshës
së sotme në bazilikën e Shën Pjetrit, përplot me rojet, familjarët e miqtë e tyre.
Rreth elterit të katedrës, ku kremtohej Mesha, spikasnin e kuqja, e verdha e bluja
e uniformave të paradës që kishin veshur Rojet në festë e flamujt me kryq të bardhë
në fushë të kuqe. Kardinali Bertone u ndalua posaçërisht tek rëndësia që ka shërbimi
i tyre e tek serioziteti, me të cilin duhet kryer ky shërbim kaq i posaçëm: “Të
gjithë e dimë sa e rëndësishme e delikate është detyra, që u besohet Rojeve Zvicerane
Papnore: janë roje të posaçme të vetë Papës, të Pallatit Apostolik e të hyrjeve në
Qytetin e Vatikanit si dhe Roje sigurie e nderi gjatë kremtimeve publike të Atit të
Shenjtë. Shërbimi juaj, të dashur miq të Rojes Papnore, sa cilësor, aq edhe i çmuar,
kërkon seriozitet, përkushtim, besnikëri e vigjilencë”. Kujtojmë se tridhjetë
e tre vjet më parë Pali VI i shpërndau të gjitha trupat ushtarake papnore, por Rojet
Zvicerane mbetën gjithnjë në krye të misionit të tyre, sepse model i shërbimit besnik
e guximtar në Kishë, miq të Zotit e njerëz të vënë në shërbim të paqes. Më se 500–vjet
në shërbim të papëve, historia e tyre flet nga breznia në brezni për vlerën njerëzore,
për shpirtin e krishterë, për dashurinë shembullore ndaj Krishtit e Kishës së tij.
Me këto ndjenja Rojet Zvicerane Papnore e ndoqën edhe sot paradite Meshën solemne,
ndërsa pasdite, duke nisur nga ora 17.00, u mblodhën rishtas në Oborrin e Shën Damasit
për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të 32 rekrutëve të rinj, që iu shtuan ushtrisë
së vogël guximtare të Papës gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Kujtojmë edhe
se shumë nga Rojet, pas përfundimit të shërbimit, mbeten përgjithnjë në Vatikan, ose
zgjedhin edhe rrugën e meshtarisë, sepse “të jesh Roje Zvicerane do
të thotë të vësh tërë vetveten në shërbim të Krishtit e të Kishës, gati për të dhënë
për këtë edhe jetën”, siç thekosi sot gjatë Meshës kardinali Tarçizio
Bertone, duke u shprehur të rinjve zviceranë edhe mirënjohjen e thellë të Papës Benedikti
XVI.