2009-05-05 16:41:40

Të krishterët në Tokë Shenjte presin me padurim vizitën e Papës. Imzot Tual: Kemi nevojë që Papa të na japë zemër.


(05.05.2009 RV)RealAudioMP3 Sot paradite nunci apostolik në Izrael, kryeipeshkvi Antonio Franko, patriku latin i Jeruzalemit, Imzot Fuad Tual, vikari latin i Izraelit Imzot Markuco dhe Rojtari i Tokës Shenjte Atë Pierbatista Picabala, mbajtën në Jeruzalem një konferencë për shtyp. Gjatë saj ata ilustruan përgatitjet e fundit përpara vizitës së Benediktit XVI në Lindje të Mesme. Siç dihet shtegtimi i Papës do të fillojë me 8 dhe do të përfundojë me 15 maj.
“Ju kemi ftuar ju - iu drejtuan ata të pranishëmve - sepse si gazetarë keni një mision: të paraqitni në mënyrën më të mirë këtë vizitë, duke kuptuar edhe të veçantën e këtij shtegtimi papnor, që është lutja e pandërprerë për bashkimin dhe paqën në këtë tokë të martirizuar”. Kjo është fryma me të cilën dëshiron të pritet Benedikti XVI, deklaruan përpara mjeteve të informimit prelatët. Por gjithashtu Imzot Tual nuk e fshehu faktin se vizita e Papës edhe mund të instrumentalizohet, po të kihet parasysh gjendja e brishtë politike në këtë zonë. Papa Racinger do të vizitojë një kamp palestinez, afër Betlehemit. Po ashtu qeverisë izraelite i janë paraqitur 250 kërkesa për lejekalimi për të krishterë nga Gaza, por deri tani, tha Imzot Tual janë dhënë vetëm njëqind.

Pyetjes së një gazetari “Përse Papa nuk do të shkojë në Gazë?” Imzot Tual iu përgjigj me fjalët se të krishterët aty janë një pakicë tepër e vogël. Ndryshe qëndron puna me Cisjordaninë- vazhdoi imzot Tual. Nga 15 mijë të krishterët që ka aty, 11 mijë prej tyre iu është dhënë leje të marrin pjesë në takimet me Papën.
Ndërsa për vizitën e Papës në Mauzoleun e Jad Vashemit, i cili në një nga sallat e tij të shumta ka edhe një didaskali fyese kundër Piut XII, nunci apostolik në Izrael Franko, tha se Ati i Shenjtë nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim këtë gjë sepse dëshiron të nderojë viktimat e Shoahut
Nga ana tjetër Imzot Markuco, i bëri thirrje shtypit të mos harrojë qëllimin e kësaj vizite baritore dhe shpirtërore të Papës në Lindje të Mesme. Katër tema do të karakterizojnë secilën nga etapat e saj. Këto do të jenë: Në Jordani, Kisha; në Nazaret, jeta; në Jeruzalem, paqja dhe pajtimi dhe në Betlehem, familja.
Në mbyllje të konferencës për shtyp Imzot Franko nënvizoi edhe njëherë fjalët që tha Papa Racinger të dielën kur theksoi se po shkon në Vendet e Shenjta për t’i dhënë zemër të krishterëve në Tokë Shenjte, duke u bërë shtegtar i paqes dhe duke promovuar dialogun dhe pajtimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.