2009-05-05 16:23:04

Ekspozita mbi Ungjijtë apokrifë në Ilexho të Friulit


(05.5.2009 RV)Friuli: një ekspozitë kushtuar veprave të artit të frymëzuara nga ungjijtë apokrifë
U përurua këtyre ditëve në Ilexho të Friulit të Italisë, ekspozita “Apokrifët. Kujtime dhe legjenda përtej Ungjijve”. Ishte i pranishëm edhe Kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Kishat Lindore. Kjo ekspozitë, organizuar nga Komiteti i Shën Florianit do të rrijë e hapur deri më 4 tetor. Në të janë ekspozuar tetëdhjetë kryevepra të piktorëve si Karavaxho, Durer por edhe ikona ruse dhe skulptura mesjetare në dru, vepra arti këto që vijnë nga galeritë dhe muzeumet më të përmendura të Evropës. Paraqitja e ekspozitës u bë në ambasadën e Italisë pranë Selisë Shenjte. Në mikrofonin tonë flet kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, kryeipeshkëvi Xhanfranko Ravazi:
Nga njëra anë këto vepra arti na lejojnë të dallojmë një horizont shumë kreativ, madje deri edhe fantazmagorik, që është tipar i bashkësive të krishtera primitive, të devocionit të tyre, të dëshirës së tyre për të ditur diçka më tepër rreth misterit të Krishtit. Në të njëjtën kohë duhet të kujtojmë edhe se këto i kanë dhënë jetë një vargu imazhesh që kanë hyrë në historinë e artit, por duke patur gjithmonë parasysh se ndonëse janë mbartës të këtyre vlerave shpeshherë Ungjijtë Apokrifë janë lënë mënjanë”.
Ekspozita në fjalë është përgatitur me ndihmën e Dom Alesio Xheretit. Ta dëgjojmë:
Ky koleksion i këtyre veprave të mrekullueshme të cilat patëm fatin t’i paraqesim së bashku, na lejon nga njëra anë të çmojmë atë çka është e vlefshme nga pikëpamje shpirtërore në këto ungjij, dhe nga ana tjetër na lejon të vlerësojmë edhe më tepër besueshmërinë, historicitetin e Ungjijve kanonikë, të cilët ndryshe nga këto tekste, që janë edhe pak piktoreskë – i kanë mbetur besnikë realitetit, fakteve, pa iu përshtatur asnjëherë kërshërive tona njerëzore.”

Vizitori mbase do të habitet kur të vërejë se disa episode kanonike kishtare si adhurimi i Tre Mbretërve, fëmijëria apo të Ngjiturit e Zojës në Qiell burojnë pikërisht nga tekstet apokrife. Këtyre iu drejtuan artistët si Guerçino, Dyrer, Andrea del Sarto por edhe autorët e ikonave antike ruse dhe bizantine si edhe ata të skulpturave në dru e të gdhendjeve të periudhës së Rilindjes. Vlen të përmendet se vepra kryesore e kësaj ekspozite është “Pushimi gjatë ikjes në Egjipt” i Karavaxhos. Kjo pikturë fsheh një “sekret” i cili u bë i njohur me rastin e kësaj ekspozite. Të dëgjojmë edhe një herë Dom Alesio Xheretin:
Kjo pikturë përveç se estetikisht e mahnitshme dhe tepër e fuqishme përbën edhe një traktat inteligjent mbi marrëdhëniet ndërmjet jetës aktive dhe asaj kundrimtare, është një ftesë për të kaluar, po, nëpër përvojën e shkurtër dhe interesante të artit, por me kusht që të arrijmë tek ëmbëlsia e pafund, e pamasë dhe e pakrahasueshme e jetës kundrimtare të lutjes.”







All the contents on this site are copyrighted ©.