2009-05-04 17:44:20

Benedikti XVI shuguron 19 diakonë të dioqezës së Romës; në uratën e Mbretëreshës Qiellore kërkon lutje për udhëtimin në Tokën Shenjte, ku do të shkojë si shtegtar i paqes.


(04.05.2009 RV)Meshtarët të jenë figura e Krishtit në botë e të mos i bëjë për vete një lloj mendësie që, duke hyrë nga bota, arrin ta ndotë Kishën deri tek meshtarët e saj. Edhe një herë Benedikti XVI reflektoi mbi një nga temat më të rëndësishme të papnisë së tij, atë të thirrjeve e të misionit meshtarak. E bëri këtë reflektim gjatë Meshës solemne, kryesuar dje paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë së cilës shuguroi 19 diakonë të dioqezës së Romës, gjashtë nga të cilët, me origjinë italiane.
Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, pastaj, Papa kujtoi ditën botërore të lutjes për thirrje meshtarake e rregulltare dhe u kërkoi mbarë besimtarëve të luten për shtegtimin e tij të afërt në Tokën Shenjte, ku do të shkojë të dëshmojë impenjimin e Kishës për një paqe të qëndrueshme.
Gurë themeli të Kishës, dëshmitarë të besueshëm që ecin në gjurmët e Bariut të Mirë, e jo njerëz të infektuar nga një lloj shoqërie, që nuk e njeh Zotin e që nuk ka as më të voglën dëshirë për ta njohur. Me qartësinë e tij karakteristike, kur prek këtë argument, Benedikti XVI, duke zhvilluar simbolikisht homelinë e Meshës së Bagmit të së Enjtes së Madhe 2009 – skicoi figurën e meshtarit, i cili duhet të jetë ‘në botë’, por jo ‘i botës’.
Me thellësinë shpirtërore, që ka një gjest i tillë, gjithnjë tejet prekës, gjatë liturgjisë, Papa vendosi duart mbi kokat e 19 burrave, disa prej të cilëve në moshë të pjekur, që vendosën të ecin në gjurmët e Apostujve. Gjysma e tyre janë romakë ose nga kjo provincë, tre italianë e gjashtë të ardhur nga të katër anët e Planetit: një diakon nigerian, një nga Haiti, një kroat, një nga Republika Çeke, një kilian e një koreano-jugor. Papa iu drejtua të gjithëve me fjalët e Ungjillit të Shën Gjonit, që pohon se bota nuk i njeh meshtarët, sepse nuk njeh Zotin:
Është e vërtetë, e ne meshtarët e kemi këtë përvojë: bota (…) nuk e kupton të krishterin, nuk i kupton meshtarët që vihen në shërbim të Ungjillit. Pak pse nuk e njeh Zotin, e pak pse nuk dëshiron ta njohë. Bota nuk do ta njohë Zotin, për të mos u trazuar nga vullneti i Hyjit, e prandaj nuk do t’i dëgjojë as meshtarët e tij, gjë që mund ta çojë në krizë. (…) Kjo botë (…) në kuptimin ungjillor, e rrethon edhe Kishën, duke i infektuar anëtarët e saj e edhe vetë meshtarët e shuguruar (…); ekziston një mendësi, një mënyrë të menduari e të jetuari, që mund ta njollosë edhe Kishën, e faktikisht e njollos, prandaj kërkohet vigjilencë e spastrim i përhershëm”.
Për t’u ruajtur nga ky rrezik, meshtari duhet të jetë në bashkim të plotë me Krishtin, në mënyrë sakramentore, por edhe ekzistenciale, që të mbetet gjithnjë i shuguruar në të vërtetën. Mjeti për ta realizuar këtë bashkim – nënvizoi Benedikti XVI – është ushqimi i përhershëm me lutjen e Krishtit drejtuar Atit, që t’i ruante ‘të tijtë’:
“Prej këtu për ne, meshtarët, buron një thirrje e posaçme për t’u lutur, duke vënë në qendër të lutjes sonë Krishtin; jemi të thirrur të mbetemi në Krishtin (…), gjë që mund të realizohet posaçërisht në lutje. Shërbimi ynë është plotësisht i lidhur me këtë ‘të mbetemi’, që ka kuptimin ‘të lutemi’, e prej saj buron edhe fryti i dëshiruar”.
Mesha e përditshme, pra, por edhe Liturgjia e orëve, adhurimi eukaristik, Lectio divina, rruzarja, meditimi: prej këndej meshtari – theksoi Papa – merr limfën e jetës së tij meshtarake. Meshtari që lutet, e që lutet mirë - shtoi Ati i Shenjtë – pak nga pak zhvishet nga vetvetja e bashkohet gjithnjë më shumë me Krishtin, Bariun e Mirë, emri i të cilit është i vetmi që shëlbon:
“Apostulli, pra edhe meshtari, e merr emrin e tij dhe identitetin e tij nga Krishti. Gjithçka bën, e bën në emër të Zotit. Vetja e tij lidhet gjithnjë më ngushtë me vetjen e Jezusit. Në emër të Krishtit, e sigurisht jo në emër të vet, apostulli mund të bëjë gjeste që kanë synim t’i shërojnë vëllezërit, mund t’i ndihmojë të sëmurët të ngrihen përsëri në këmbë e të vijojnë rrugën e jetës”.
Benedikti XVI, që bashkëkremtoi përkrah me kardinalin-vikar, Agostino Valini, me ipeshkvijtë ndihmës e shumë meshtarë të dioqezës së Romës, e përfundoi liturgjinë në Bazilikën e Shën Pjetrit e pastaj, në orën 12. 15, u duk në dritaren e bibliotekës së tij private në Pallatin Apostolik, për të kremtuar lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Para lutjes u foli 40 mijë besimtarëve të pranishëm kryesisht për shtegtimin e tij të afërt apostolik në Tokën Shenjte, që do të nisë të premten e ardhshme. “Po shkoj – tha ndërmjet duartrokitjeve – t’i përforcoj në fe e t’i inkurajoj të krishterët e Tokës Shenjte, të cilëve u duhet të përballojnë çdo ditë vështirësi të panumërta. E, duke kujtuar disa nga këto vështirësi, viktima të të cilave janë palestinezët, shtoi:
Po shkoj si shtegtar i paqes, në emër të një Zoti të vetëm, që është Atë i të gjithëve. Do të dëshmoj impenjimin e Kishës katolike në favor të atyre, që përpiqen të praktikojnë dialogun e pajtimin, për të siguruar një paqe të qëndrueshme e afatgjatë, në frymën e drejtësisë e të respektit reciprok. Së fundi, ky shtegtim nuk mund të mos ketë rëndësi ekumenike e ndërfetare. Jeruzalemi, në këtë këndvështrim, është qytet-simbol: Atje Krishti vdiq për t’i bashkuar të gjithë bijtë e shpërndarë të Hyjit”.
Më pas Benedikti XVI shprehu solidaritetin për viktimat e gripit, që po trondit këto ditë Meksikën e shumë vende të tjera të Planetit. “Të dashur vëllezër meksikanë – tha Papa – shpresoni në Zotin. Ai do t’ju ndihmojë ta kapërceni këtë vështirësi”. Duke kujtuar Ditën botërore të lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare, që u kremtua dje, Papa i ftoi të gjithë besimtarët të luten që madhështia e bukuria e dashurisë së Zotit të tërheqë sa më shumë njerëz për ta ndjekur Krishtin në rrugën e jetës meshtarake e rregulltare. E të luten edhe që të ketë sa më shumë bashkëshortë të shenjtë, të aftë për t’u hapur fëmijëve, sidomos me shembull, horizonte të larta, që mund t’i arrijnë duke zgjedhur lirisht rrugën e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.