2009-05-03 13:15:40

Një javë me Benediktin XVI në prag të shtegtimit apostolik për në Tokën Shenjte.


(03.05.2009 RV)RealAudioMP3 U prit me emocion të thellë vizita e Papës në Abruco të marten e kaluar. Ishte një përqafim i ngrohtë me popullsinë e dëmtuar nga tërmeti i 6 prillit, shprehje e prekshme e impenjimit të Kishës për të mos lënë askënd vetëm gjatë rindërtimit të shtëpive e institucioneve, e kërkesës për të ndërtuar “shtëpi të qëndrueshme” dhe e respektit për viktimat.
Etapa e parë në Ona, fshat me 300 banorë, ku 40 vetë humbën jetën nga tërmeti.
Pas Onës, Papa shkoi në bazilikën e Kolemaxhos për t’u lutur para relikeve të Çelestinit V, në një skenë tronditëse, me kupolën e kishës gjysëm të shembur e shtyllat e mbetura në këmbë, përforcuar e lidhur me shiritat e Mbrojtjes Civile. Këtu Benedikti XVI vendosi palion papnore mbi arkivolin e qelqtë, ku ruhen reliket e Çelestinit V.
Çast prekës i vizitës, ai i takimit me të rinjtë e mbijetuar nga rrënimi i Shtëpisë së Studentit, ku humbën jetën 8 vetë.
Etapa e fundit e vizitës së Benediktit XVI në Abruco ishte takimi me autoritetet civile e fetare në kazermën e Rojes së Financës, në Kopito. Kisha, theksoi Papa, është këtu me mua, pranë vuajtjes suaj, merr pjesë në dhimbjen për humbjen e familjarëve dhe të miqve, me dëshirën për t’ju ndihmuar të ndërtoni shtëpitë, kishat, ndërmarrjet e shkatërruara ose të dëmtuara rëndë nga tërmeti e sidomos, jetën tuaj.

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme uroi: feja na ndihmoftë të shikojmë dritën e Hyjit në Kishë e në gjirin e njerëzimit, larg ndyrësisë së mëkatit.
Edhe në se mëkati e ndyrësia ia nxijnë fytyrën, feja duhet të na ndihmojë ta shohim praninë e Hyjit në botë e ndërmjet njerëzve. Me këtë pohim Benedikti XVI e përfundoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur të mërkurën e kaluar në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar Patrikut të Kostandinopojës, Gjermanit. Papa ua paraqiti 40 mijë besimtarëve të mbledhur rreth tij, si protagonist të luftës kundër ikonathyersëve dhe autor të shkrimeve të rëndësishme kushtuar Zojës së Bekuar.

Shërbimi ipeshkvnor, roli i meshtarëve, kontributi i laikëve në jetën e Kishës e të shoqërisë: këto ishin tri temat kryesore që Benedikti XVI i trajtoi në fjalimin e tij drejtuar, të enjten e kaluar, grupit të tretë të ipeshkvijve të Argjentinës, në vizitë ‘Ad Limina Apostolorum’.
Ipeshkvi duhet të sillet me besimtarët si shërbyes, duke u frymëzuar vazhdimisht nga shembulli i Krishtit Zot: kjo është porosia që u dha Benedikti XVI ipeshkvijve të Argjentinës, duke theksuar se titulli ipeshkvit, është titull nderi kur jetohet me shpirtin ungjillor të shërbimit e pjesëmarrjen e përvujtë në misionin e Krishtit.
Papa i ftoi ipeshkvijtë argjentinas t’u prijnë bashkësive të tyre dioqezane me frymën e dashurisë e të bamirësisë, posaçërisht ndaj më nevojtarëve e të jenë shenjë e dukshme e dashurisë së Krishtin mes njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.