2009-05-03 13:16:07

Gripi i derrit: Papa lutet për të sëmurët e për viktimat


(03.05.2009 RV)RealAudioMP3 Vijon shqetësimi botëror për gripin e derrit: OMS-i mendon se alarmi është serioz, por edhe se pandemia mund të shmanget. Gripi deri tani ka tre emra: ‘i derrit’, ‘gripi meksikan’ dhe ‘gripi i ri’. E me të tre, po i kall tmerrin botës, sepse numri i të vdekurve nga kjo sëmundje e papritur, e re, me një emër aspak tingëllues, po shtohet çdo ditë, e çdo ditë lexojmë emrin e një vendi të ri në listën e viseve të prekura nga sëmundja. Ndërsa SHBA po marrin të gjitha masat për ta përballuar këtë grip të ri, në Evropë deri tani numri i të sëmurëve është rritur në 4 vetë: dje u fol për një rast të dyshimtë edhe në Serbi, fare pranë kufijve të Shqipërisë. Gjithsesi alarmi nuk është aq shqetësues, sa i ditëve të para, kur lajmi i nisur nga Meskika mori dhenë, i ndjekur menjëherë pas nga gripi.
Meksika vijon të jetë vendi më i prekur nga sëmundja, që nisi pikërisht atje. Numri i të vdekurve e ka kaluar 150-tën, por vetëm 15 prej tyre duhet të kenë vdekur për shkak të virusit "A-H1N1". Qeveria ka marrë vendim t’i mbyllë të gjitha qendrat arkeologjike për të shmangur rrezikun e përhapjes së sëmundjes.
Benedikti XVI i ka shprehur afërsinë e tij popullit meksikan, duke u kërkuar mjeteve të komunikimit ta përcjellin mesazhin e tij të solidaritetit. Ati i Shenjtë është shpirtërisht pranë gjithë të sëmurëve, lutet për shërimin e tyre, për familjet e tyre e për pushimin e pasosur të të vdekurve nga kjo sëmundje e papritur, e panjohur, por jo e papërballueshme!







All the contents on this site are copyrighted ©.