2009-05-03 13:14:10

Editorial i Atë Federiko Lombardit S.J. per Octava Dies: “Papët shtegtarë”


(03.05.2009 RV)RealAudioMP3 Vlojnë përgatitjet për shtegtimin, tashmë të afërt, të Papës në Tokën Shenjte, ku do të jetë nga 8 deri më 15 maj. Benedikti XVI do ta nisë shtegtimin nga Jordania, do të vizitojë Bazilikën Përkujtimore të Moisiut mbi Malin Nebo; pastaj do të shkojë në Jeruzalem, në Betlehem e në Nazaret. Ndërmjet etpave kryesore të vizitës, përveç viseve të shenjta të të krishterëve, është edhe Yad Vashem, Kupola e Shkëmbit mbi Sheshin e Xhamive, Muri Perëndimor dhe një kamp refugjatësh palestinezë. Por, të ndejkim editorialin e Atë Federiko Lombardit për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:

“Dita e nisjes së Benediktit XVI për në Tokën Shenjte është, tashmë, fare afër. Udhëtimi më i pritur e deri më sot, ndoshta edhe më impenjativ, i papnisë së tij. Udhëtim feje sidomos, udhëtim që, më shumë se çdo gjë tjeter, është shtegtim i vërtetë: në viset më të shenjta të historisë së shëlbimit e sidomos, të mishërimit, mundimeve, vdekjes e ngjalljes së Jezu Krishtit, Birit të Hyjit.
Dëshira shpirtërore e çdo të krishteri u bë vetvetiu detyrë e dorës së parë për papët, që kur u krijuan mundësitë konkrete për udhëtimet e tyre ndërkombëtare. Jo më kot pikërisht shtegtimi në Tokën Shenjte i Palit VI qe absolutisht i pari shtegtim i tillë. Çast vërtetë historik, e jo më pak, çast hiri për Kishën katolike, që kremtonte Koncilin; për udhën ekumenike, përmes takimit me patrikun Atenagora e për t’i kërkuar Zotit paqen ndërmjet popujve të zonës e të botës.
Gjon Palit II iu desh të priste gjatë, para se ta realizonte dëshirën për këtë shtegtim, por pastaj pati gëzimin ta kryente qetësisht, në zemër të Jubileut të Madh, kulm i vërtetë i papnisë së tij të jashtëzakonshme, me çaste lutjesh, që prekën zemrën e njerëzimit e me gjeste të paharrueshme miqësie e afërsie me popullin hebre e atë palestinez e me vuajtjet e tyre të djeshme e të sotme.
Tani e ka radhën Papa Benedikti XVI. E dimë mirë sa e paqartë është situata politike në zonë, sa të brishta janë perspektivat e paqes. Por, pavarësisht prej tyre, Papa po vihet për udhë, me një guxim për t’u admiruar, që bazohet në fe, për të folur për pajtimin e paqen. Të gjithë duhet ta shoqërojmë, jo vetëm me lutjen tonë të zakonshme, por me atë mobilizim shpirtëror, të cilin Gjon Pali II e quante ‘lutje e madhe”. Që Kisha të përtërihet në burimet e saj, bashkimi i të krishterëve të bëhet më i afërt, urrejtja t’ia lëshojë, më në fund, vendin pajtimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.