(02.05.2009 RV)U përkujtua sot festa e Shën Atanasit të Aleksandrisë, ipeshkëv
e doktor i Kishës. Benedikti XVI i ka kushtuar audiencën e përgjithme të 20 qershorit
2007, duke e quajtur “protagonist të vërtetë të traditës së krishterë”. Por, të njihemi
më hollësisht me jetën e këtij Shenjti të madh, përmes fjalëve të vetë Papës: Shën
Atanasi i Aleksandrisë lindi në Egjipt rreth vitit 300. Ishte ende meshtar i ri, kur
mori pjesë në Koncilin I Ekumenik, të mbledhur nga Perandori Kostandin në vitin 325,
për të siguruar unitetin e Kishës. Etërit konciliarë, në kundërshtim me pohimet e
arianëve, ripohuan me forcë se Krishti është Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë. Atanasi
u bë teolog i pasionuar i mishërimit të Logos ‘Fjalës së Hyjit’, që u bë njeri, simbol
i vështirësive që goditën Kishën e kohëve të para dhe i guximit me të cilin një numër
i madh dëshmitarësh mbrojti kauzën e Ungjillit: "Pikërisht për këtë arsye,
Atanasi qe kundërshtari më i rëndësishëm e më i fortë i herezisë ariane, që asokohe
kërcënonte fenë në Krishtin, duke e bërë në asgjë hyjninë e tij, sipas një prirjeje,
që vijon në histori e që shfaqet, në mënyra të ndryshme, edhe në ditët tona". Si
u bë ipeshkëv i Aleksandrisë, Atanasit iu kundërvu vetë Kostandini i cili, për shkaqe
politike, dëshironte ta bënte fenë më të pranueshme për të gjithë nënshtetasit e perandorisë: “Atanasi…
refuzoi me vendosmëri çdo kompromis përballë teorive ariane, të dënuara nga Koncili
niken. Me mospajtimin e tij të guximshëm e nganjëherë edhe tejet të ashpër, ndonëse
shumë të nevojshëm, kundër atyre që nuk kishin dashur ta shikonin ipeshkëv, e posaçërisht
atyre që i kundërviheshin Simbolit niken, tërhoqi armiqësinë e papajtueshme të arianëve
të filoarianëve". Beteja kundër Arios, i cili gjeti mbështetje nga rrethana
jashtëkishtare, i kushtoi një internim të gjatë Shën Atanasit, i cili në këtë periudhë
u afrua me monakizmin, sidomos, me Shëna Ndoun Abat. Ky aspekt i dha famë të re ipeshkvit
mërgimtar, që u bë mik i vetmitarit tjetër të madh aq, sa të shkruante biografinë
e tij, ‘best seller’ i letërsisë së lashtë kristiane’. “Jeta e Shëna Ndout”, ky është
titulli i veprës, luajti një rol të dorës së parë për përhapjen e monakizmit në Lindje
e në Perëndim. Ndonëse eremitët, siç shkroi Atanasi, jetojnë të vetmuar e dëshirojnë
të mbeten të fshehur: “Ideja kryesore e gjithë luftës teologjike të Shën
Atanasit qe se Hyji është i arritshëm. Nuk është Zot i dorës së dytë, është Zot i
vërtetë, e përmes bashkimit tonë me Krishtin, ne mund të bashkohemi realisht me Hyjin.
Ai u bë me të vërtetë ‘Hyj me ne’.