Sot, më 1 Maj, kujtojmë mësimin e Benediktit XVI: "Puna të shërbejë për të mirën e
njeriut e të shoqërisë, por mos të kthehet në idhull
(01 .5.09. R.V.)Sot Kisha kremtoi Shën Jozefin punëtor, festë e cila
na kujton fjalët që i ka kushtuar Benedikti XVI punës dhe punëtorëve. Dje, gjatë
lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi se sot, më 1 maj, Kisha katolike kremton
Shën Jozefin Punëtor. E që nga fillimi i papnisë së tij, Ati i Shenjtë ka prekur disa
herë problemet që lidhen me botën e punës Sapo u zgjodh papë, Benedikti XVI u radhit
menjëherë përkrah punëtorëve, duke e quajtur veten “ një punëtor i thjeshtë e i përvuajtur
në vreshtin e Zotit”. Më 1 maj 2005, pikërisht para një viti, doli për herë të parë
në dritaren e studios së tij private për të thënë lutjen e Mbretëreshës Qiellore,
të cilën ia kushtoi krejtësisht botës së punës, duke uruar që punëtorëve, e sidomos
të rinjve, të mos u mungojë kurrë puna si dhe që kushtet e punës ta respektojnë gjithnjë
më shumë dinjitetin e njeriut. Më 27 janarin vitit 2005, duke pritur në audiencë Shoqatat
e Krishtera të Punëtorëve Italianë (ACLI) me rastin e 60-vjetorit të themelimit, Ati
i Shenjtë Racinger kujtoi se vetëm demokracia mund të garantojë barazi dhe të drejta
për të gjithë, pa harruar se demokracia pa vlera, kthehet lehtësisht në totalitarizëm
të hapur ose të maskuar, siç vijon të na dëshmojë historia. Papët – theksoi Benedikti
XVI - e kanë kujtuar gjithnjë përmasën njerëzore të veprimtarisë punonjëse, pa harruar
se kurorëzimi i mësimit biblik mbi punën, është urdhërimi i pushimit. Prandaj të kërkosh
që e diela të mos barazohet me ditët tjera, është një kërkesë qytetarie. Ati i Shenjtë
foli edhe për humanizmin e mundit të përditshëm, duke ripohuar se “ njeriu është masa
e dinjitetit të punës”: “Nga përparësia e valencës etike të punës së njeriut,
burojnë përparësi të tjera: përparësia e njeriut mbi punën, e punës mbi kapitalin,
e karakterit universal të të mirave materiale e shpirtërore mbi të drejtën e pronësisë
private, përparësia e qenies mbi pasjen”. Më 4 mars 2006, duke takuar anëtarët
e Bashkimit të Sipërmarrësve të Krishterë, Papa kujtoi se është e nevojshme t’i kushtohet
vëmendje situatave më të vështira, duke pohuar se i krishteri është i thirrur të kërkojë
gjithnjë drejtësinë, por pa harruar vendin që zë dashuria në shpirtin tij, gjë që
shtyn përtej kufijve të vetë drejtësisë. Më pas Benedikti XVI u ndal tek “Karta e
Vlerave” e sipërmarrësve të rinj katolikë: “Posaçërisht çmova mendimin për të
vlerësuar çdo njeri duke u nisur nga aftësitë e nga ajo që mund të japë, sipas talenteve
të tij e duke refuzuar çdo formë shfrytëzimi; ashtu si edhe njohjen e rëndësisë së
familjes e të përgjegjësisë personale. Bëhet fjalë për vlera të cilat për fat të keq,
edhe për shkak të vështirësive aktuale ekonomike, janë në rrezik e mund edhe të mos
ndiqen nga sipërmarrësit, të cilëve u mungon fryma e shëndoshë morale”. Më
19 mars 2006, në Solemnitetin e Shën Jozefit, gjatë Meshës për punëtorët, Papa i
ftoi të shenjtërohen përmes punës, sepse nuk mjafton vetëm aftësimi, kualifikimi ndonëse
i nevojshëm, teknik e profesional, për ta realizuar plotësisht vetveten si individ
e si anëtar i shoqërisë: “Puna ka rëndësi të dorës së parë për realizimin e
njeriut e për zhvillimin e shoqërisë dhe, për këtë arsye, duhet të organizohet e të
kryhet gjithnjë në kushte që e respektojnë plotësisht dinjitetin e njeriut dhe që
i shërbejnë së mirës së përbashkët. Njëkohësisht është e domosdoshme që njeriu të
mos bëhet shërbëtor i punës, mos ta kthejë në idhull, duke pretenduar të gjejë në
të kuptimin e fundit të jetës”. Kështu u shpreh Benedikti XVI dhe i ftoi të gjithë
punëtorët të ndjekin shembullin e Pajtorit të tyre, Shën Jozefit.